Vendet arabe dënojnë ashpër deklaratën e politikanit holandez Wilders se palestinezët duhet të zhvendosen në Jordani


Shtetet arabe dënuan deklaratat e Geert Wilders, politikanit të ekstremit të djathtë që fitoi zgjedhjet e kësaj jave në Holandë.

Autoriteti Palestinez e etiketoi deklaratën e tij se palestinezët duhet të zhvendosen në Jordani, si një thirrje për përshkallëzim të agresionit kundër popullit të tyre dhe ndërhyrje të hapur në punët dhe të ardhmen e tyre.

Jordania dënoi ashpër deklaratën e holandezit Wilders, e Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Jemeni dhe Liga Arabe ndoqën shembullin.

“Deklaratat e papërgjegjshme të parlamentarit holandez Geert Wilders konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe refuzohen dhe dënohen”, shkroi në X ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Holandë.

Politikani populist dhe anti-islamik i ekstremit të djathtë Wilders, udhëheqës i Partisë së Lirisë (PVV), njihet për mbështetjen e tij të fortë për Izraelin.

Vitet e fundit, ai ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për të krijuar vendbanime në Bregun Perëndimor dhe shpesh ka përsëritur idenë se Jordania është Palestinë, duke sugjeruar se konflikti midis palestinezëve dhe Izraelit mund të zgjidhet duke zhvendosur palestinezët në Jordani.