Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, James Hooper në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se populli i Kosovës duhet ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara të ditës së sotme nuk janë Shtetet e Bashkuara të viteve 1998, 1999, 2000 dhe se situata ka ndryshuar.
Hooper duke folur për idenë e presidentit Hashim Thaçi rreth kufijve, tha se populli i Kosovës duhet që këtë çështje ta shohë në perspektivë dhe t’i qaset këtyre diskutimeve me kokë të ftohtë.
“Dua të porosis fillimisht që populli i Kosovës ta shohë këtë çështje në perspektivë dhe në veçanti t’i qaset këtyre diskutimeve ‘me kokë të ftohtë’, me gjakftohtësi dhe pa emocione. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të shohim rezultatin e këtyre deklaratave. Ja pse! E gjithë kjo është projektuar si debat për kufijtë, qoftë përcaktim i kufijve, korrigjim apo diçka tjetër. Mirëpo e gjithë kjo në fakt përbën diskutim për një marrëveshje që do të ndryshojë marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën dhe ndryshim në aspektin pozitiv, pra do të përmirësojë lidhjet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Prandaj unë vërtetë dua të përçoj këtë mesazh që populli i Kosovës duhet ta mendojë mirë këtë proces, me shumë kujdes, sepse po bisedohet për marrëdhënien e ardhshme që do të ketë me SHBA-të dhe Evropën”, theksoi Hooper.
Ai tha se ekziston një rrezik i konsiderueshëm, që ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, mund të ndikojë në Maqedoni dhe Bosnjë, prandaj sipas tij, është kaq e rëndësishme që kjo çështje të shihet në një perspektivë më të gjerë dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i përfshirë.
“Është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të tregojë përkushtim për rezultatin, për marrëveshjen që do të arrihet. Ndoshta edhe nuk do të ketë të tillë, apo ajo se për çfarë do të pajtohen palët nuk do të jetë aq e madhe sa në fakt njerëzit janë të shqetësuar. Mirëpo është shumë e rëndësishme për stabilitetin rajonal, që komuniteti ndërkombëtar ta shohë këtë çështje në perspektivë më të gjerë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’i shohin këto diskutime si pjesë të ristabilizimit të Ballkanit, sepse situata në Bosnjë nuk është stabile në shumë aspekte dhe gjithmonë ka brenga për Maqedoninë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë pjesë e stabilizimit të rajonit dhe kjo është pjesërisht se nga janë duke shkuar bisedimet — në mënyrë indirekte. Dhe sërish, kjo duhet të jetë edhe pjesë e përgjegjësisë së udhëheqësisë së Kosovës, me mbajtjen e këtyre negociatave dhe bisedimeve”, tha ai.
Hooper theksoi se Uashingtoni ka një perspektivë ndryshe rreth kësaj çështjeje, për dallim nga Berlini dhe Londra.
“Mendoj se Uashingtoni me siguri ka një perspektivë ndryshe në këtë çështje, për dallim nga Berlini dhe Londra. Populli i Kosovës duhet të studiojë këtë dhe të kuptojë se Shtetet e Bashkuara të ditës së sotme nuk janë Shtetet e Bashkuara të viteve 1998, 1999, 2000 e kështu me radhë. Situata ka ndryshuar. Siç e shoh unë, kjo e vë në pah vështirësinë e Kosovës në të qenit shtet i vogël në një rajon jostabil. Është shumë e rrezikshme në këto ditë për Kosovën që të niset drejt së ardhmes derisa është fqinje me një Serbi armiqësore. Zbutja e armiqësisë së Serbisë është e rëndësishme për Kosovën. Mbajeni në mend se sa i përket rajonit, rruga nëpër të cilën është nisur Kosova është e mbushur me plot gropa. Kosovës i duhet gjithmonë një ‘ngasës’ i mirë. Në këtë aspekt varet nëse populli i Kosovës i beson udhëheqësisë së vet. Ndonëse e di se ka pasur kritika për politikat e brendshme, në rastin e presidentit Thaçi, mendoj se ai i ka ofruar Kosovës udhëheqësi të mirë në çështje ndërkombëtare, andaj populli i Kosovës duhet ta ketë parasysh këtë gjë”.
“Një nga arsyet se pse mendoj që janë shqetësuar njerëzit është fakti se gradualisht rajoni ka rrëshqitur në një formë të jostabilitetit. Prandaj mendoj se ka shqetësim tek ata. Një tjetër arsye, nga ajo çfarë kam dëgjuar është se meqë zonja Mogherini [Federica] përfundon mandatin vitin e ardhshëm, ka pasur zëra se ajo do të dëshirojë arritjen e një marrëveshjeje, të cilën mund ta konsiderojë si trofe të saj. Prishtina duhet të ketë kujdes në këtë aspekt, sepse këtu mund të ketë diçka të vërtetë që zonja Mogherini të dëshirojë të mbahet në mend si ministre e Jashtme e suksesshme. Por çfarë në të vërtetë përbën rrezik për mua është nëse arrihet marrëveshje me një njeri që tashmë është duke u larguar, sepse në rast të arritjes së marrëveshjes, palëve ju duhet një person, në këtë rast zonja Mogherini që të jetë aty për t’i siguruar se marrëdhëniet e reja [pakti] të zbatohet ashtu siç është hartuar. Nëse kjo arrihet para largimit të saj, cili do të jetë ndikimi i saj në të ardhmen?”, tha ai.
Sipas tij, presidenti Thaçi duhet të sigurohet që nëse do të ketë ndonjë nënshkrim të marrëveshjes në të cilën përfshihet edhe Mogherini, atëherë duhet të nënkuptohet që marrëveshja të përkrahet edhe nga kancelarja gjermane Merkel apo persona tjerë që do të jenë aty më gjatë se Mogherini.
Njohësi i çështjeve në Ballkan tha se secila palë synon të përmbushë ambiciet maksimale, pa dhënë asgjë dhe kjo sipas tij është recetë për jostabilitet dhe rikthim të dhunës në të ardhmen në rajon.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të rëndësishmet në rajon. Nuk e di cili do të jetë rezultati në fund dhe nuk mendoj se madje as vetë zoti Thaçi apo zoti Vuçiq janë në dijeni të rezultatit, ata mund të jenë duke testuar se sa janë të përkushtuara SHBA-ja dhe Evropa. Mirëpo mendoj se është e rëndësishme që kjo të mos shihet në aspektin provincial, nëse më lejohet të them. Çfarë do të vendosja unë në plan të parë, para Bosnjës dhe Maqedonisë, është ajo nëse Kosova, si rezultat i marrëveshjes, do të pranohet në Kombet e Bashkuara. Në një rast të tillë, mendoj se ka argumente bindëse për një marrëveshje. Nëse Kosova nuk do të jetë pjesë e OKB-së, atëherë mendoj se ka pak mundësi që ndonjë marrëveshje të arrihet”, tha ai.