Në fundin e gushtit nisin hapat vendimmarrës për vizat


Trajtimi i çështjes së vizave në mbledhjen e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që do të mbahet më 29 gusht, paraqet hapin e parë të vendimmarrjes për vizat, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian (KE).

Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha është shprehur e bindur se vendimi në LIBE do të jetë pozitiv sa i përket liberalizimit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në fund të këtij muaji pritet të vazhdojë rrugëtimi i procesit të liberalizimit të vizave. Trajtimi i çështjes së vizave në mbledhjen e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që do të mbahet më 29 gusht, paraqet hapin e parë të vendimmarrjes për vizat, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian (KE).

Ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha është shprehur e bindur se vendimi në LIBE do të jetë pozitiv sa i përket liberalizimit.

Edhe njohësit e procesit të integrimit vlerësojnë se çështja e vizave në komisionin LIBE, i cili është në kuadër të Parlamentit Evropian (PE), do të kalojë pa ndonjë problem. Ndërkaq votimi në këtë komision i hap rrugë kalimit të liberalizimit në Parlament dhe në Këshill të Ministrave.

Përderisa votimi në PE bëhet me shumicë të thjeshtë, votimi në Këshill vlerësohet të jetë më i vështirë, pasi që ka disa vende anëtare të BE-së të cilat janë skeptike ende sa i përket liberalizimit. Megjithëkëtë, drejtues të institcioneve në Kosovë janë shprehur të bindur se qytetarët do të mundë të lëvizin lirshëm përgjatë këtij viti, porse përfaqësuesit e opozitës vazhdojnë të potencojnë se këtë vit nuk do të ketë mundësi që qytetarët të lëvizin në zonën Shengen.