Një organizatë e trafikut të drogës në Itali është shkatërruar nga autoritetet italiane, ku janë arrestuar 19 persona.
Sipas mediave italiane, kjo organizatë drejtohej nga një familje shqiptare; babai, e ëma dhe djali.
Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se këta persona janë Ardian Korriku 54 vjeç, Etleva Adami 46 vjeç dhe Jurgen Korriku 27 vjeç. Të tre këta persona u arrestuan dje në Shqipëri në kuadër të operacionit “PUZZLE 2020” me kërkesë të autoriteteve italiane pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kjo organizatë trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali si dhe nga Holanda në Shqipëri nëpërmjet Gjermanisë. 18 nga 19 të arrestuarit janë shtetas shqiptarë, ndërsa 1 italian. Nga 19 fletë-arresti, 14 janë me masë sigurie arrest në burg, ndërsa 5 të tjerë në arrest shtëpie. Një nga 18 shqiptarët u kap në Gjermani, në qytetin Hanover, dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie.
Organizata drejtohej nga familja shqiptare e përbërë nga 3 personat e sipërpërmendur.
Banda ka qarkulluar lëndë narkotike me vlerë 34 milionë Euro në total. Bëhet fjalë për 420 kilogramë drogë, nga të cilat 70 kg kokainë, 66 kg heroinë, 206 kg hashash dhe 80 kg marijuanë. Kjo sasi droge është shitur me pakicë përgjatë viteve.
Përveç 19 të arrestuarve, 65 persona të tjerë, kryesisht shqiptarë, rezultojnë që të jenë të dyshuar për përfshirje në trafikun e paligjshëm të drogës nga Holanda në Shqipëri.
Hetimet për këtë grup kriminal nisën nga autoritetet italiane në Janar të vitit 2020 kur u arrestua një çift që trafikonte 2 kg heroinë. Përgjimet dhe ndjekja hetimore zbuloi më pas një zinxhir të trafikut dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal që drejtohej nga familja shqiptare me banim në Treviso të Italisë.
Anëtarët e organizatës përdornin celularë të koduar për të menaxhuar porositë e klientëve të drogës.
Asete me vlerë 1 milion Euro u sekuestruan në kuadër të këtij operacioni, përfshirë një kompani zvicerane, ndërtesa dhe automjete luksoze.