“Djal i shkëlqyer”- Shakohoxha: Dwamena më i paguari në Shqipëri, sa fitonte në muaj


Komentatori Dritan Shakohoxha e ka cilësuar vdekjen në fushën e blertë të futbollistit të Egnatias Raphael Dwamena si një vdekje të paralajmëruar.

I ftuar në emisionin Review në Euronews Albania, Shakohoxha tha se Dwamena ishte ndaluar të luante në Evropë dhe kurrësesi ai nuk duhet të ishte pranuar të luante në Shqipëri, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm.

Teksa bëri një rezyme të karakteristikave personale dhe profesionale të futbollistit ganez, ai zbuloi se Dwamena ishte dhe futbollisti më i paguar i Superligës me një pagë prej 10 mijë euro në muaj.

Unë do ta nis fjalin time në një intervistë të muajve më parë kur drejtori i Partizanit, Olsi Rama, deklaronte se nuk mund ta përfshijë te Partizani pavarësisht nivelit shumë të mirë të këtij futbollisti. Shkak ishte gjendja e tij fizike që nuk ishte i aftë të lunate futboll. Ajo që doja të thoja ishte që po flasim për një vdekje të paralajmëruar. Ai djalë nuk duhet të lunate futboll, nuk duhet të ishte pjesë e niveleve të tilla të futbollit në asnjë rast dhe për asnjë motiv.

Dwamena kudo që ka shkuar ia kanë prishur kontratën.

Ishte një super talent dhe një djalë i shkëlqyer dhe shumë besimtar. Madje dhe ai vetë ka deklaruar se “Zoti ma ka dhënë jetën dhe atij ja kam lënë në dorë”. Ishte shumë korrekt. Ishte kapiteni i skuadrës dhe ishte lojtari më i paguar në Superligën shqiptare. Përderisa e refuzuan të luajë në Spanjë, në Angli, në Zvicër dhe në Austri, pse duhet të lunate në Shqipëri”, tha Shakohoxha.