Grubi priti në takim ambasadorin e Kanadës, Norman


Zv/kryeministri, Artan Grubi sot ka pritur në takim ambasadorin e Kanadës, Giles Norman. Procesi i skriningut, ndryshimet kushtetuese, integrimi në BE, zgjedhjet e vitit të ardhshëm si dhe situata në rajon ishin pjesë e bisedës në takimin mes Grubit dhe Norman.

Grubi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Kanada për partneritetin në kuadër të NATO-s, perspektivën për vazhdimin sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE përmes procesit të ndryshimeve kushtetuese, tash kur procesi i skriningut është në përfundim e sipër.

Republika e Maqedonisë së Veriut po legjitimohet si partner serioz dhe kredibil që dukshëm kontribuon në paqen dhe sigurinë e rajonit dhe jo vetëm.

Duke e falënderuar ambasadorin Norman për mbështetjen e Kanadës për vazhdimin e integrimit europian, Grubi është shprehur se kjo rrugë është opsion i vetëm dhe i drejtë për gjitha vendet e rajonit, ndërsa ndryshimet kushtetuese janë hap i rradhës që duhet bërë për të vazhduar më tej këtë rrugëtim.

Më tej u diskutua edhe mbi zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm si afat i rregullt zgjedhor për të konfirmuar nga ana e qytetarëve mbështetjen për të ardhmen europiane të vendit.

Gjithashtu, u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë në rajon me theks të veçantë raportet Prishtinë – Beograd, ku dy bashkëbiseduesit vlerësuan se vendi i Ballkanit Perëndimor është në familjen e madhe europiane dhe se gjitha shtetet duhet të punojnë në këtë drejtim për një prosperitet dhe të ardhme të sigurtë.