Ahmeti ishte vetëm mysafir në Sopot, nuk është muze i UÇK-së, BDI nuk është e lidhur me objektin, thotë Osmani

Muzeu në Sopot nuk është muze i UÇK-së, ka thënë Osmani i pyetur nëse është ndërtim ilegale dhe nëse ky muze gjendet në tokë shtetërore, siç tha kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

“Së pari nuk është muze i UÇK-së siç është prezantuar, por muze që përkujton një ngjarje nga viti 1944 kur u vranë fshatarë nga Sopoti dhe zoti Ahmeti ishte mysafir i ftuar, prandaj të gjitha pyetjet duhet ti drejtoni te organizatorët. Siç thonë është tokë familjare, familja e ka ndërtuar për të përkujtuar fshatarët, por ne nuk kemi pjesë në të, kemi qenë të ftuar atje”, tha Osmani.

I pyetur se pse e gjithë objekti ka ikonografi të UÇK-së, Osmani theksoi se është një muze i cili gabimisht paraqitet si muze i UÇK-së sepse, tha ai, përkujton një ngjarje tragjike të vitit 1944.

Kryetari i Komunës së Kumanovës ka konfirmuar sot se kompleksi në Sopot është ndërtuar në tokë shtetërore dhe ka shpallur procedurë për rrënimin e tij.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha dje se sipas informacioneve të tij, muzeu i UÇK-së është ndërtuar në tokë private.