Tahiri: “Hey burra nuk është turp me qajt, kujdesuni për shëndetin mental”


Po e filloj këtë artikull me një thënie interesante e cila thotë që meshkujt nuk janë më të mirët për t’u kujdesur për veten e tyre, dhe ne si shoqëri nuk jemi gjithmonë më të mirët për të menduar për burrat dhe çështjet që kanë të bëjnë me ata. Duke marrë shkas ngjarjen e ditës së djeshme në Kosovë, ku një person bëri vetvrasje si dhe duke e ditur se Nëntori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin e meshkujve, qoftë shëndeti fizik apo edhe shëndeti mental vendosa që të bëj një shkrim të tillë me qëllimin e vetëm ngritjen e vetëdijes tek popullata jonë për rëndësinë e shëndetit mental. Në botë kjo lëvizje që merret me shëndetin fizik dhe mental të burrave e ka emrin Movember dhe zanafillën e saj e ka në Australi që në vitin 2003. Qëllimi i kësaj lëvizje është që të rrisë vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës në përgjithësi por të meshkujve në veçanti për problemet e shëndetit fizik dhe mental me të cilat meshkujt ballafaqohen në përditshmërinë e tyre, probleme për të cilat shpeshherë dinë të heshtin, mbase edhe për shkak të stigmës dhe paragjykimeve që hasin burrat në vendin tonë kur kanë nevojë për ndihmë nga profesionistët e shëndetit fizik dhe mental. Shpeshherë ndodh që stepen aq shumë të kërkojnë ndihmë saqë shumë çrregullime qoftë të shëndetit fizik por veçanërisht të shëndetit mental nuk arijmë ti identifikojmë dhe ti trajtojmë në kohë tek gjinia mashkullore.

Kjo lëvizje theks të veçantë ose target grup i ka meshkujt që kanë sëmundje të ndryshme të shëndetit fizik siç janë kanceri i prostatës dhe i testikujve si dhe probleme të ndryshme të shëndetit mental, siç është depresioni, ose bipolariteti të cilat janë të trajtueshme por për shkak të stigmës pacientët meshkuj shpesh edhe bëjnë vetvrasje për shkak se nuk kanë mundur të shprehen qoftë te një familjar apo mik për atë se çfarë po ndodh me shëndetin e tij mental edhe fizik, sepse në kulturën tonë kemi internalizuar paragjykime dhe stereotipe nga më të ndryshmet për meshkujt, i kemi hiperbolizuar si gjinia e fortë, të cilët duhet të durojnë çdo gjë, që burrat nuk qajnë, nuk janë të dobët dhe të gjithë këto paragjykime i çojnë në ekstrem pacientët meshkuj, ndodh që e humbin kontrollin mbi veten dhe nuk janë në gjendje të kërkojnë ndihmë për atë që realisht i shqetëson nga frika se do të paragjykohet nga rrethi por shpesh edhe nga familja e ngushtë.
Aspekti i shëndetit fizik të meshkujve
Sipas studimeve të shumta që janë bërë është aritur në përfundim se burrat e moshës 15-65 vjeç e kanë më të vështirë të kërkojnë shërbime të kujdesit shëndetësor si mënyrë për të parandaluar sëmundje të caktuara të shëndetit fizik ose mental për dallim prej femrave. Në vendin tonë nuk kemi statistika konkrete për atë se sa meshkujt kërkojnë shërbime shëndetësore qoftë edhe të kujdesit primar, Hapi i parë për të parandaluar sëmundje të tilla si kanceri i prostatës, i testikujve apo probleme të rënda të shëndetit mental është që të drejtoheni te një mjek i familjes i cili më pas do të ju udhëzojë për analiza më të detajuara të cilat si tek gjinia femërore ashtu edhe tek gjinia mashkullore rekomandohet që të bëhen të paktën një herë në vit.

Ekzaminime të rekomanduara për meshkujt nga mosha 15-65 vjeç
I inkurajoj të gjithë meshkujt e kësaj moshe që të vizitojnë mjekët amë sëpaku një herë në vit dhe të kërkojnë shërbime në lidhje me shëndetin fizik të tilla si ekzaminimi fizik (matja e shtypjes së gjakut, të vlerësojnë indeksin e masës trupore, ekzaminimi i testikujve dhe vetekzaminimi i testikujve është shumë i rëndësishëm në këtë moshë. Gjithashtu ekzaminimin metabolik siç është diabeti dhe profili i lipideve duke u bazuar edhe në historinë familjare. Gjithashtu të merren parasysh edhe vaksinat të tilla si vaksina e gripit, COVID-19, hepatiti A/B, HPV dhe MMR. Të bëjnë të paktën një herë në tre vite skrining të HIV, Hepatiti B/C, sifilizi, gonorrea dhe klamidia. Gjithashtu duhet të diskutojnë në lidhje me sjellje të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe mental të tij si: duhani, alkooli, drogat e ndryshme apo substancat psikoaktive, si dhe përdorimi i çfarëdolloj terapie pa konsultim me specialistin përkatës. Gjithashtu meshkujt duhet të jenë të hapur të diskutojnë për planifikimin familjar të tilla si këshillimi “para konceptimit” për të edukuar burrat se adoptimi i një stili jetese të shëndetshëm – ushtrimet, ngrënia e ushqimeve të shëndetshme dhe shmangia e substancave – në një moshë të re përmirëson shanset për të mbetur shtatzënë gruaja, dhe për të pasur një shtatzëni të shëndetshme dhe një fëmijë të shëndetshëm.
Për meshkujt mbi 40 vjeç, kur edhe fillojnë të shfaqen shqetësimet e moshës së mesme rekomandohet që përveç ekzaminimeve të cekura me lartë, të kryejnë edhe ekzaminime që kanë të bëjnë me sëmundjen kardiovaskulare dhe ekzaminimet më të shpeshta në lidhje me kancerin veçanërisht kur kemi një histori familjare pozitive në lidhje me këtë sëmundje e cila është vdekjeprurëse por nëse arrrijmë të detektojmë dhe diagnostifikojmë në kohë dhe në stadet fillestare mundet edhe të ndikojmë në shërimin e të njëjtës, si dhe kontroll të vazhdueshëm të syve. Dhe krejt në fund kontrolli i osteoporozës që duhet të bëhet tek meshkujt e moshës mbi 60 vjeçare.
Shëndeti mental i burrave

Është temë shumë e gjerë, e cila më pëlqen që ta kem pjesë e diskutimeve të mia qoftë në panele të ndryshme apo edhe në debate mes miqsh sepse në popullatën tonë, siç e ceka edhe më lartë meshkujt janë shumë të stigmatizuar veçanërisht kur duan të kërkojnë ndihmë për një problem të caktuar të shëndetit mental, qoftë ai ankth, depresion, bipolaritet apo edhe ndonjë çrregullim më i rëndë i shëndetit mental. Sipas statistikave të shumta në lidhje me këtë temë është gjetur se burrat bëjnë 4 herë më shumë vetvrasje për dallim prej femrave, të cilat kushtimisht thënë kanë më shumë gjasa të bëjnë tentim për vetëvrasje, por burrat kanë më shumë gjasa të vdesin nga vetëvrasja. Arsyeja kryesore për këtë është qasja më e lehtë tek armët e zjarrit nga ana e meshkujve. Edhe përkundër asaj që po bëhen përpjekje të shumta për të aktualizuar problemet e shëndet mental tek popullata në përgjithësi por në veçanti tek popullata jonë e cila ka të trashëguara, stereotipe nga më të ndryshmet, trauma të thella transgjenerative, ne si profesionist të kësaj fushe po hasim në vështirësi nga më të ndryshmet, të tilla si stigmatizimi dhe etiketimi që ju bëhet klientëve apo personave që kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mental qoftë psikologët apo psikiatrit, pastaj janë edhe faktorët ekonomik, shpesh këto shërbime janë të shtrenjta për buxhetin familjar të një burri në vendin tonë, mungesa e kushteve dhe hapësirave në repartet psikiatrike dhe mungesa e psikologëve, mungesa e trajnimeve të personelit shëndetësor për seriozitetin dhe ndjeshmërinë e këtij grupi të margjinalizuar të popullatës, por më e rëndësishmja nga të gjitha këto është frika nga ndryshimi, sepse të marrësh guximin të kërkosh ndihmë nga një psikolog domethënë që ti po merr iniciativën për të ndryshuar veten, mënyrën e të menduarit dhe për të përmirësuar kualitetin e jetës tënde dhe harmoninë në familje që shpesh për klientët është rraskapitëse, sepse në popullatën tonë jemi mësuar që ti zgjedhim gjërat në mënyrë të shpejtë, shpesh duke përdorur terapi joadekuate që e marrin tek farmacisti i lagjes gjë që është shumë e gabuar sepse terapi të tilla jo vetëm që nuk arrijnë të zgjidhin problemin që e ke por janë në gjendje që për një kohë shumë të shkurtër të krijojnë varshmëri që më pas është shumë e vështirë që të dalësh prej një rrethi të tillë vicioz.

Shëndeti mental dhe fizik fatkeqësisht shihen si dy entitete të ndara dhe këtu është zanafilla e të gjitha problemeve dhe anomalive që ndodhin në shoqëri por veçanërisht në popullatën tonë. Pikësynimi im është që nëpërmjet këtij shkrimi të arrij të vetëdijësoj qoftë edhe një mashkull që të kërkojë ndihmë kur e sheh se diçka nuk po shkon me të dhe me botën e tij të brendshme. Meshkujt duhet ta kuptojnë se nuk është turp të kesh probleme të shëndetit mental, është e dhimbshme të vuash në heshtje dhe të mos dish ku të kërkosh ndihmë dhe ku të drejtohesh. Ajo që më bën përshtypje në praktikën time klinike është pyetja që shpeshherë ma bëjnë klientët, veçanërisht meshkujt: “e a mund ti mbash sekret krejt ato histori që ti tregojnë njerëzit”? Dua të ju them se si unë edhe çdo profesionist tjetër qoftë psikolog, psikiatër, mjek i përgjithshëm, onkolog e kështu me rradhë, së pari e kemi detyrim moral që të rruajmë identitetin dhe privatësinë e klientit ose pacientit, pastaj e kemi edhe detyrim ligjor sepse nëqoftëse zbulojmë qoftë edhe diçka të vogël nga privatësia e klientit mund të ndiqemi penalisht si dhe të na merret licenca e punës. Neve psikologëve na duhet më së paku 10 vite edukim jashtë auditoreve të universitetit për të aritur të aftësohemi për punë me klientë, prandaj ju bëj apel edhe meshkujve por edhe popullatës në përgjithësi, kërkoni ndihmë, kërkoni për një profesionist të liçencuar që ka kryer edukim në një drejtim të caktuar psikoterapeutik dhe pasi të jeni të sigurtë se ai profesionist është personi i duhur mos nguroni të kërkoni ndihmë sepse krijimi i besimit klient-terapeut është pjesë e procesit terapeutik i cili kërkon kohë që të krijohet por është një lidhje e veçantë dhe unike të dish se ke dikë me të cilin mund të diskutosh për problemet e tua dhe ai person të kupton pa të paragjykuar dhe të fal ndjenjë sigurie dhe një krah ku të mbështetesh kur gjërat nuk shkojnë mirë. Është në rregull të mos ndjehesh mirë, por nuk është në rregull të mbyllesh në guaskën e paragjykimeve dhe të hezitosh të kërkosh ndihmë. Ne profesionistët e shëndetit mental jemi gjithmonë me ju dhe për ju, në mënyrë që jeta juaj të bëhet më e lehtë!
Rëndësia e kontakteve sociale
Kontakti apo raportet sociale janë shumë të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien tonë si individ, një numër i madh i popullatës raportojnë se pas periudhës së pandemisë ato janë më të vetmuar dhe kanë më pak kontakte shoqërore, Hulumtimet e shumta që janë bërë tregojnë se njerëzit që përjetojnë vetminë dhe izolimin janë në rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës, demencës, goditjes në tru, depresionit dhe ankthit. Mungesa e kontakteve sociale madje mund të rrisë rrezikun e vdekjes së parakohshme në nivele të krahasueshme me pirjen e duhanit. Nga ana tjetër, mbajtja e kontakteve sociale promovon shëndet më të mirë fizik dhe mental, lehtëson stresin dhe madje promovon një sistem imunitar më të shëndetshëm. Marrja e hapave të thjeshtë konkret si përgjigjja e një telefonate që na vjen nga një mik, ti bësh ftesë dikujt për të pirë një kafe, për të ngrënë sëbashku një vakt ose vullnetarizmi në komunitetin tuaj mund t’ju ndihmojë të ndiheni të lidhur me rrethin.
Muaji i Shëndetit të Burrave është koha e përkryer për të përcaktuar rrugën tuaj drejt përmirësimit të shëndetit tuaj fizik dhe mental sepse pa shëndet mental nuk ka shëndet fizik dhe anasjelltas. Vazhdoni me ekzaminimet shëndetësore dhe ekzaminoni trupin tuaj kur shfaqen simptoma të caktuara. Bëjeni shëndetin mental prioritet dhe ndërmerrni hapa për të menaxhuar stresin dhe për të qëndruar të lidhur me të tjerët!
Fatime Tairi- Magjistre e psikologjisë klinike dhe këshilluese, Psikologe e licencuar, e punësuar në Spitalin klinik-Tetovë- reparti i psikiatrisë, Specializante në psikologji mjekësore pranë klinikës universitare për psikiatri dhe psikologji në universitetin “Kirili dhe Metodi’’, si dhe edukante në Gestalt psikoterapi pranë qendrës për rritje dhe zhvillim personal Aspekti-Shkup (Cortex-Tetovë).