Mexhiti: Mbështesim gjykatësit e Supremes, më vjen keq për nivelin në të cilin ka rënë Ali Ahmeti


Krerët e frontit opozitar, gjatë ditës së sotme para Gjykatës Supreme kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë institucion, në, siç thonë ata, rezistencën që po e shfaqin ndaj presionit politik që po ju bëhet për ta kthyer Nikolla Gruevskin në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, tha se ky presion po bëhet nga individë të BDI-së. Ai tha se i vjen keq në çfarë niveli ka rënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“BDI-së nuk i intereson BE-ja dhe ndryshimet kushtetuese. Ata kanë nevojë që Gruevski të përpiqet të bëjë pazar politik me VMRO-DPMNE-në për hyrjen në një Qeveri të përqendruar, duke bërë pazare me deputetët e ardhshëm të LSDM-së. Sinqerisht më vjen keq për nivelin në të cilin ka rënë Ali Ahmeti dhe BDI dhe këtë populli do ta dënojë ashpër në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi Izet Mexhiti.