Tërnava uron qytetarët për festën e Kurban Bajramit: Islami garanton të drejtën e femrës


Myslimanët në Kosovë kanë falur namazin e Kurban Bajramit, manifestimi qendror i së cilit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Me këtë rast Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Ternava ka bërë thirrje që kjo festë të merret si kampanjë për të drejtat e femrës, që të ndalohen vrasjet dhe hakmarrjet, si dhe në të ketë solidarizimin në vend të mohimit të të drejtave të femrës.

Tërnava ka shtuar se kjo është përgjigje ndaj atyre që sipas tij, padrejtësisht akuzojnë islamin për shkeljen e të drejtave.

Kreu i BIK-ut ka bërë thirrje që askujt të mos i merret jeta, të cilën Zoti e ka shenjtëruar, duke përmendur këtu edhe të drejtën e nderit dhe pronës.

“Në këtë festë madhështore konfirmojnë me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzen dhe të abuzohen me to edhe sot e kësaj e dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgamberi ynë Muhamedi a.s e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve të tjera me rëndësi në haxh, flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na përkujtoi Allahu për përgjegjësitë që i kemi para tij, Allahu na përkujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saj, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre, nëse do ta shpjegonim këtë të drejtë në mes të drejtave të barabarta, atëherë më pak fjalë do të thoshim se islami garanton të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo abuzuar me të. Allahu na urdhëron në Kuranin famëlart, jetoni e silluni mirë me to, megjithëkëtë, me keqardhje më duhet të them se të drejtat e femrës vazhdojnë të shkelen edhe në vendin tonë, në mënyra e forma të ndryshme, duke filluar nga liria që i ka dhuruar Allahu, veçmas e drejta e saj për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe jo të nëpërkëmbur nga burri apo shoqëria në asnjë segment të jetës së saj”, u shpreh Tërnava.

Në urimin e tij, Tërnava bëri thirrje për unitet dhe jo mosmarrëveshje.

“Më lejoni që në emër të kryesisë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të saj, fetare dhe arsimore dhe në emrin tim personal të uroj festën e Kurban Bajramit, të gjithëve vëllezërve dhe motrave tona, si në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët, duke ju drejtuar Allahut me një lutje, që bëjë këtë festë gëzim për të gjithë ne, është apel rreth festës që të lëmë anash inatet dhe mospajtimet e të bëhemi bashkë, jo vetëm për të festuar por edhe për ta rregulluar jetën tonë”, tha Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Ditën e parë, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00. Kurban Bajrami është një nga festat më të shënuara për botën islame që shënon dhe fundin e ritit të haxhillëkut i konsideruar si proces bindjeje, paqeje dhe sakrifice.