Qeveria e Kosovës e ka pranuar planin e ri të BE-së për Asociacionin

Qeveria e Kosovës raportohet se ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serb.

Mediumi “Koha” raporton se nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar që është pranuar plani i prezantuar nga pesë emisarët perëndimorë gjatë vizitës së tyre të shtunën.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, raportohet se thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Deri më tani, nuk dihen detaje se çfarë përmban ky plan, derisa për nesër është thirrur një takim në Bruksel mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.

Ndërkohë, në një intervistë për “Financial Times” të publikuar sot, Kurti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë dialog pa u sanksionuar Serbia për ngjarjet e 24 shtatorit.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, ka thënë Kurti. “Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin”.