Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak mbërriti në Tel Aviv në një vizitë që synon të tregojë solidaritet me Izraelin për konfliktin në Gazë, raporton Anadolu.
“Jam i kënaqur që jam këtu në Izrael në këtë kohë të rëndësishme”, tha Sunak në një deklaratë pas mbërritjes së tij.
“Mbi të gjitha, unë jam këtu për të shprehur solidaritetin tim me popullin izraelit”, tha ai, duke shtuar: “Dua që ju të dini se Mbretëria e Bashkuar dhe unë jemi me ju”.
Sunak është paraparë të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog gjatë vizitës së tij. Vizita vjen në kohën kur Izraeli po kryen një fushatë masive të sulmeve ajrore në Gaza, duke vrarë shumë civilë.
Konflikti në Gaza filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi Operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i papritur shumë-dimensional që përfshinte një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se sulmi ishte hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”.
Kjo vizitë ndodh vetëm disa ditë pas sulmit ajror izraelit ndaj një spitali në Gaza ku mbetën të vrarë të paktën 471 palestinezë.
Vizita e djeshme e presidentit të SHBA-së, Joe Biden në Izrael u komentua si mbështetje e heshtur për sulmin ajror, megjithëse Biden tha se vdekjet e lanë atë “thellësisht të pikëlluar”. Ai mbështeti pretendimin izraelit se ata nuk e kanë bombarduar spitalin.
Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza ndërsa tek pala izraelite shifra qëndron në të paktën 1.405 të vrarë.