Rikthimi i “terrorizmit islamist” përbën një kërcënim për të gjitha kombet evropiane, tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një vizite në Shqipëri të martën.
“Mjerisht ne e pamë atë dje në Bruksel: të gjitha shtetet evropiane janë të cenueshme. Dhe, në fakt ka një rikthim të këtij terrorizmi islamist, dhe të gjithë ne jemi të pambrojtur,” tha Macron, duke iu referuar një sulmi në të cilin u vranë dy tifozë suedezë të futbollit në kryeqyteti belg, Bruksel.
Personi i dyshuar për vrasjen, një 45-vjeçar tunizian, vdiq të martën pasi u qëllua nga policia në një kafene, thanë autoritetet belge.
Macroni, gjatë një konference për media në Tiranë, tha se po zhvillohen edhe bisedime intensive për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi pas sulmit të tij ndaj Izraelit, pasi një nënë e një pengu francezo-izraelit iu lut liderëve botërorë të ndërhynin.
“Dua të jem shumë i kujdesshëm këtu… në mënyrë që të mos rrezikojmë bisedimet intensive që po zhvillojmë aktualisht”, u tha Macron gazetarëve në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
“Por, ata po përparojnë dhe ne po i ndjekim këto bisedime orë pas ore”.
Nëna e një vajze francezo-izraelite Mia Shem, e mbajtur peng nga militantët e Hamasit në Gaza, u kërkoi udhëheqësve botërorë të martën të lironin vajzën e saj pasi militantët e publikuan një video ku ajo shihej duke u mbajtur në robëri.
Unë kërkoj nga liderët botërorë që vajza ime të na kthehet në gjendjen që është sot, si dhe pengjet e tjera,” tha Keren Shem në një konferencë për shtyp në Tel Aviv.
Ajo po fliste një ditë pasi Hamasi transmetoi videon në të cilën vajza e saj shihet duke u trajtuar për një plagë në kraharor.
Shem tha se vajza e saj ishte në një festë në shkretëtirën afër kufirit, kur u rrëmbye në Gaza gjatë sulmit vdekjeprurës të militantëve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit i morën 199 pengje dhe i dërguan në Gaza gjatë sulmit.
Forcat izraelite kanë kryer bastisje të lokalizuara përtej kufirit gjatë të cilave kanë gjetur trupat e disa prej të rrëmbyerve, me operacionin e fundit të tillë që u zhvillua të martën, tha një zëdhënës i ushtrisë.
Izraeli është duke luftuar me Hamasin që nga 7 tetori, pasi ky grup militant palestinez nisi sulme të koordinuara nga toka, deti dhe ajri në jug të Izraelit.
Izraeli është kundërpërgjigjur me bombardime të ashpra në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë./REL