Palestinezët nuk do të largohen më nga atdheu, thotë zyrtari i Hamasit


Kreu i zyrës së marrëdhënieve politike dhe ndërkombëtare të Hamasit i ka thënë Al Jazeera-s se palestinezët në Gaza nuk do të largohen nga atdheu i tyre.

Kjo, edhe pse Izraeli bëri thirrje për më shumë se një milion civilë që të evakuojnë pjesën veriore të enklavës.

“Ne kemi dy mundësi: ta mposhtim këtë okupim ose të vdesim në shtëpitë tona”, tha Basem Naim. “Ne nuk do të largohemi. Ne nuk jemi gati të përsërisim Nakba-n përsëri”.

Ai iu referua zhvendosjes masive të palestinezëve kur Izraeli u formua në vitin 1948.

Naim tha se sulmi i së shtunës ishte rezultat i “rrethimit mbytës” që Gaza duroi për 17 vjet.

“Ne po vdisnim në heshtje. Ne jemi përpjekur të dalim nga ky burg i hapur, jemi përpjekur të ngremë zërin tonë në nivelin e komunitetit ndërkombëtar… kjo që po bëjmë është një akt mbrojtjeje, ne po mbrojmë ekzistencën tonë”, theksoi ai.

“Ne jemi të etur për të jetuar në liri dhe dinjitet, ne duhet të heqim qafe këtë pushtim. Kjo është rrënja e të gjitha të këqijave në rajon”, ravijëzoi në përmbyllje Basem Naim.