100 të vrarë në Izrael dhe 198 në Gaza është bilanci i ri i konfliktit – Luftimet priten të zgjasin disa ditë – Palestinezët ‘në festë’


Bilanci vjen gjithnjë e më shumë në rritje në Izrael, ku deri tani janë raportuar 100 të vrarë dhe 740 të plagosur, pas një inkursioni të organizuar të militantëve të Hamasit në rajonet jugore izraelite.

Lajmin e kanë bërë me dije mediat vendase, referuar edhe të dhënave të paraqitura nga Policia e Izraelit.

Sipas kësaj të fundit, pritet që luftimet të zgjasin për disa ditë, në një front të krijuar në kufirin me Gazën, ku palestinezët kanë marrë kontrollin e shtatë pikave kyçe të kalimit aty.

Me buldozerë, ata kanë shkatërruar gardhin rrethues, duke nisur inkursionin dhe duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë.

Raportohet po ashtu se 57 izraelitë, mes të cilëve edhe policë e ushtarë, janë marrë peng nga militantët e Hamasit.

Në Gaza ndërkaq, prej raketimeve izraelite, kanë mbetur të vdekur 198 persona dhe mijëra të tjerë janë plagosur, duke tejmbushur spitalet me të lënduar.

Përtej faktit se luftimet mund të zgjaten në kohë, sipas shërbimeve izraelite, pak orë do të nevojiten për të rikapur pikat e kalimit dhe për të vendosur një lloj rendi në kufi me Gazan.

Vetë palestinezët në West Bank ndërkaq, është raportuar se janë në festë prej zhvillimeve të fundit, me festime masive në rrugë.

Megjithatë, banorët e Gazas janë me sytë nga qielli, pasi priten sulme të shumta izraelite në zonë, të cilat kanë filluar tashmë.

Nga raportimet e para në Gaza, spitalet kanë filluar të mbushen pas raketimeve izraelite, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima, por pa specifikuar numër.

Vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të mbledhë këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të parë hapat e mëtejshëm që aksioni duhet të ndërmarrë.

Ai u ka thënë qytetarëve se vendi është zyrtarisht “në luftë me Hamasin” dhe se ka bindjen se Izraeli do të dalë fitues nga luftimet.

(https://www.genusinnovation.com/)