Në fillim të vitit të ardhshëm paga minimale do të rritet për 10%


Zyrtarët qeveritarë kanë komentuar sot raportet ndërmjet rritjes së pagave dhe rritjes së inflacionit në vend. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka thënë se diferenca në të mirë të mirëqenies së qytetarëve do të jetë edhe më e madhe deri në fund të vitit. Bekteshi tha se sipas metodologjisë, pritet që në fillim të vitit të ardhshëm, paga minimale pritet të rritet për 10 për qind.

“Në fillim të vitit të ardhshëm paga minimale do të rritet për minimum 10 për qind pasi që rritja e pagës mesatare nga muaji korrik i vitit të kaluar është rritur për 14.1 për qind. Inflacioni pritet të jetë rreth 5 deri 6 për qind në pjesën e ushqimit, e përgjithshmja nga 7 deri në 8 për qind”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut në vitin 2016, paga minimale ishte 10.080 denarë, ndërsa këtë vit shifra është dyfishuar duke arritur 20.175 denarë. Paga minimale shënoi rritje të vazhdueshme gjatë viteve, edhe atë në vitin 2017/18 kur u rrit në 12.000 denarë, në vitin 2019 u rrit në 14.500 denarë, në vitin 2021 kishte rritje deri në 18.000 denarë, ndërsa në këtë vitë rritja e pagës ishte deri në 20.175 denarë.

Pas miratimit të ligjit në vitin e kaluar, paga minimale është rritur për rreth 13 për qind, ndërsa rritja e pagës do të jetë e vazhdueshme.