Kurti premton ndërtimin e stadiumit nacional


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar ndërtimin e një stadiumi nacional për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Kosova javën e kaluar fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Është vlerësuar si hap i madh për shtetin dhe sportin. Ndërtimi i një stadiumi nacional ka qenë prej kohësh temë në opinion.

Kosova ka veç një stadium që plotëson kriteret e UEFA-s dhe FIFA-s, “Fadil Vokrrin” në Prishtinë.

Kurti ka thënë se me 250 milionët e ndara për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të ndërtohet edhe një stadium nacional, ndërsa përmendi edhe investimet e tjera.

“Numri total i objekteve sportive në projektiv fillestar është 24. Dhjetë objekte sportive do të rinovohen, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Do të jenë katër ndërtime, përfshin stadiumin nacional, kompleksin e pishinave dhe tenisit, poligonin e shenjëtarisë. Pesë investime infrastrukturore të përkohshme dhe pesë projekte të tjera që janë në ndërtim apo përfundim, përfshirë stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin në Gjilan”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.

Kurti ka vlerësuar se ky është moment historik, “për të dëshmuar potencinal tonë për të bërë punë të mëdha”.