“Lamtumirë”, Alban Ramosaj jep lajmin e trishtë për fansat, heq dorë nga muzika: Derisa të takohemi sërish…


Alban Ramosaj ka ndarë me adhuruesit e fansat e tij një lajm të trishtë, largimin nga muzika.

Përmes një mesazhi të gjatë, Albani shpjegon arsyet, duke theksuar mirënjohjen e thellë për çdo mbështetës së tij.

“Si një nomad i ëndrrave, udhëtari niset në një rrugëtim ku çdo hap është një vallëzim me të panjohurën. Përmes peisazheve të ndryshme, ai nxjerr njohuri nga qilimi i fushave të jetës, dhe në këtë odishe, kupton qe vetë rrugëtimi bëhet një destinacion kuptimplotë”, shkruan Albani krahas letrës së postuar në Instagram.

Letra e plotë

Një Letër Për Publikun Tim Të Dashur Të “Koloseut”

Gjatë jetës sime, kam jetuar me filozofinë e pëqafimit dhe ndjekjes së ëndrrave dhe aspiratave të fëmijës së brendshëm.

Autenticiteti që artistët, veçanërisht muzikantët sjellin në veprat e tyre gjithmonë ka rezonuar thellë me mua. Megjithatë, kam kuptuar që pak nga pak, kam kompromentuar thelbin e asaj që përshkruan uni-n tim artistik.

Së fundmi, jam ndeshur shpesh me sfidën e shprehjes autentike artistike. Ndikimet e jashtme kanë pushtuar ngadalë, hap pas hapi hapsirën time kreative, kështu, duke fryer fort mbi flakën e qiriut që njëherë më dha motiv.

Ajo që nisi si një ëndërr, një pasion i palodhur, ajo që më shoqëronte nga agimi deri në perëndim, ndjej që pas gati 10 vitesh, është duke u zbehur. Fusha e betejës në të cilën gjëndem, ka lënë fëmijën tim të brendshëm të- plagosur dhe të ndjeshëm, I gjakosur shtrirë në krahet e mia, duke shikuar drejt syve të mi, duke përshpëritur, “Te lutem, mund të vazhdoj ende, mund t’ja dal.”

Mënçuria shoqëron kalimin e kohës dorë për dore. Kam mësuar se të dorëzohesh në një betejë nuk është ekuivalente me humbjen e luftës, e kështu, tashmë di më mirë se sa të lejoj veten të “luftoj” në ambiente të padrejta apo “të pafavorshme”. Pra, është koha që unë të jem “egoist” në mënyrë të vetë-ruajtjes time. Është koha të riparoj mirëqenien time fizike dhe mendore, të pastroj shpirtin nga ndotjet qe i janë bërë. Megjithatë, ky vendim nuk është një vendim që mund të merrja vetëm në diskrecion- kam përgjegjësi, është një mesazh që duhet ta ndaj me ata që më kanë mbështetur mua në këtë udhëtim. Mbështetja juaj e palëkundur, brohoritjet, duartrokitjet, sytë tuaj vëzhgues, veshët që dëgjojnë dhe mirëbesimi i të lënurit zemrat tuaja nën influencen e penës sime… më kanë mbajtur, dhe për këtë, ju jam më shumë se kurrë- mirënjohës, përgjithmonë.

Për publikun tim të dashur të “koloseut,” nëse do më njihnit personalisht, ndoshta do të thonit “Tipike Albanesque,” për mbylljen e këtij kapitull me një prekje dramatike. Por ju më njihni – unë lulëzoj në botën e dramës, pasi gjej një bukuri të caktuar poetike në të.

Me mirënjohje të ndjerë dhe një ndjenjë të rinovuar qëllimi,

Alban Ramosaj.

Ai e mbyll letrën me fjalë lamtumire.

“Derisa të takohemi sërish, faleminderit dhe lamtumirë.”