Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), numri i studentëve të diplomuar në matematikë dhe shkenca tjera natyrore ka rënë ndjeshëm. Kjo ka ndikuar që shkollat fillore dhe të mesme të kenë mungesë të mësimdhënëseve për këto lëmi
Anëmsha SHABANI
Shkup, 13 gusht– Matematika si një nga shkencat më të vjetra themelore, sot po bie dukshëm, ku numri i studentëve që po e zgjedhin këtë lëmi dhe shkencat e tjera natyrore, po bie çdo vit e më shumë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), numri i studentëve të diplomuar në matematik dhe shkenca tjera natyrore ka rënë ndjeshëm. Kjo ka ndikuar që shkollat fillore dhe të mesme të kenë mungesë të mësimdhënëseve për këto lëmi.
Nëse në vitin 2012 në “Shën KirilI dhe Metodi” në fakultetin e Matematiko-natyror, ka pasur 271 të diplomuar në vitin 2022 kemi vetëm 140 të punësuar. Ndërsa përkundër faktit që në UT është rritur numri i të diplomuar në krahasim në vitin 2012, përsëri edhe në shkollat shqipe ka mungesë të mësimdhënësve. Pra, në UT nëse në vitin 2012 kemi pasur 24 të diplomuar dhe në vitin 2022, të diplomuar gjithsej janë 114 të diplomuar, përsëri ky numër nuk është i mjaftueshëm.
Disa nga profesorët dhe mësimdhënësit theksojnë se kjo dukuri po ndodh si pasoj e migrimit, ku numri i studentëve po bie dukshëm jo vetëm në këto shkenca natyrore, por edhe në drejtimet e tjera, ndërsa pjesa tjetër mendon se përderisa matematika është një ndër lëmit më të vështira, studentët po zgjedhin të studiojnë ato lëndë që janë më të lehta për t’u mësuar.
Profesori universitar, Avzi Mustafa, në lidhje me mungesën e studentëve të shkencave natyrore fajëson Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ku sipas tij përmes bursave, ministria duhet t’i inkurajoj studentët. “Nëse hedhim një sy, ka disa vite që ka mungesë të shkencave natyrore, por në shumë shkolla bëhet zëvendësimi i profesorëve, pavarësisht nëse është i kualifikuar në atë lëmi. Unë mendoj se këtë çështje MASH-i, duhet ta studioj me detaje dhe të gjej mekanizma për motivimin e studentëve, që nëpërmjet bursave t’i drejtoj dhe inkurajoj në këto fusha. Përndryshe, unë parashikoj se në tre vitet e ardhshme, nuk do të ketë profesorë dhe mësimdhënës të shkencave natyrore, kryesisht matematik”, deklaroi për KOHA, Avzi Mustafa, profesor universitar. Ai gjithashtu shton se në shkolla bëhet zëvendësimi i profesorëve nga lëmit që ata nuk i posedojnë, por që nuk lajmërohen dhe që MASH-i nuk interesohet aspak.
Nga ana tjetër studentët shprehen se duke marrë parasysh se në shkollat dhe universitetet po i’u kërkohet shumë, ata po zgjedhin të mos sakrifikojnë nga vetja duke humbur mundësi punësimi në të ardhmen. “Sot të rinjtë po tentojnë të arrijnë më lehtë deri te suksesi. Po zgjedhin rrugët më të lehta dhe nuk po sakrifikojnë nga vetja. Matematika gjithmonë është cilësuar si problematikë, por mendoj që nuk e kanë kuptuar madhështinë e matematikës një numër i madh i të rinjve”, theksoi për KOHA, J.S, studente e matematikës në UT.
Gjithsesi, prej arsyeve kryesore supozohet të jenë pagat në arsimin fillor dhe të mesëm dhe mospërfillja sa duhet e profesionit të mësimdhënësit e sidomos në shtytjen e mungesës së kuadrit në lëndët e shkencave matematiko-natyrore. Ndërkaq sipas informacioneve fenomeni tjetër që duhet të përmbush stafin e mësimdhënësve në shkolla detyron arsimtarët e drejtimeve të tjera të japin mësim në lëndën e matematikës për shkak se nuk ka arsimtarë të kësaj lënde dhe kjo shpesh herë ndodh në shkollat viseve rurale. Nga Ministria e Arsimit tashmë kanë deklaruar se mungesa e kuadrit është si rezultat i mungesës së investimeve me kohë në fakultete të caktuara dhe kjo kërkon më shumë fokus të veçantë dhe stimulim për nxënësit.
Ndryshe, shpeshherë nga ekspertët është akuzuar Ministria e Arsimit për mos përpilimin e një strategjie të mirëfilltë rreth arsimit të lartë.