Kurti: Në qiell Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, kur i ka sjellë Zoti në Tokë u bënë dy qytete


Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Tetovë foli për projektin e rrugës që do të lidhë Prizrenin me Tetovën përmes edhe një tuneli të gjatë 6 km.

Për të treguar afërsinë në vijë ajrore të Prizrenit me Tetovën dhe ngjashmëritë mes këtyre dy qyteteve, Kurti bëri një deklaratë interesante për ‘krijimin’ e këtyre qyteteve.

“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjellë Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe i kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, tha Kurti.

Ai atje tha se zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe se ai s’duhet të jetë vetëm për zonat urbane.

”Në bazë të llogaritjeve për këtë rrugë nuk është kosto shumë e lartë, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga”, tha Kurti, duke shtuar se ky projekt është rajonal dhe ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

Kurti sot ka vizituar komunën e Çairit me ftesën e kryetarit të kësaj komune, Visar Ganiu, si dhe më pas shkoi edhe në Tetovë me ftesën e kryetarit Bilall Kasami.