Pas kundërshtimeve verbale, përmes shkrimeve në Facebook, refuzimi ndaj DokuFestit ka marrë edhe një kahje të re. “Kryengritja” ndaj DokuFestit, për shkak të një paraqitjeje skenike të grave gjysmë të zhveshur e në përkrahje të abortit e transgjinorëve, do të tregohet edhe në rrugë. Nesër në ora 14:00 do të mbahet një protestë në Prizren, vendin ku organizohet edhe DokuFesti. Çka dihet?
Besim Berisha, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës në qytetin e Prizrenit, e postoi një ftesë për protestë kundër DokuFestit, emrin e të cilit festival e shkroi me shkronja të vogla. Qëllimi i protestës duket të jetë kundërshtimi i financimit nga paratë publike të festivalit të njohur ndërkombëtarisht.
Në fakt, Berisha nuk ka treguar se kush e organizon protestën që mbahet pas namazit të xhumasë, duke kërkuar që njerëzit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së organizatorëve.
“FTESË KUNDËR dokufest
Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore!!
Të premten në ora 14:00, në Sheshin Shadërvan, takohemi së bashku për ta ngrit zërin tonë kundër dokufest, pro familjes.
Hajde edhe ti, t’i përgjigjemi pozitivishtë ftesës së organizatorëve.” – shkroi ai mbrëmë në Facebook.
Postimi i imamit Berisha, që udhëheq me BIK-un në Prizren, ka marrë deri tash 448 pëlqime, 151 shpërndarje, ndërsa ka pranuar 30 komente. Njëri nga komentuesit, e pyeti se kush janë organizatorët, gjë të cilën duket nuk e di as vet Berisha.
Shfaqja që trazoi konservatorët
Një koncert/shfaqje në kuadër të Dokunights javën e kaluar, ka ngjallë shumë reagime. Të premten që shkoi, grupi “Peaches” performoi në Prizren, ku u panë edhe vajza të gjysmë-zhveshura, gjë e cila nxiti reagimin e shumë njerëzve, përfshirë deputetë të ndryshëm të Kuvendit të Kosovës.