Sot përmes një konference për media anëtarët e Kuvendit Qendror të Alternativës nga Tetova kanë shprehur shqetësimet e tyre për mosfunksionimin e duhur të partisë së tyre.
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të disa anëtarëve të Kuvendit Qendror të Alternativës:
U mblodhëm sot këtu në selinë e Alternativës në Tetovë që të shprehim pakënaqësitë dhe vërejtjet tona për dështimet e udhëheqësisë në përmbushjen e detyrave partiake që nga mbajtja e kongresit të fundit.
Ka një vit e gjysëm që skanë të ndalur turbulencat e partisë e menaxhmenti assesi të mos reflektojë.
Kjo nisi me anashkalimin e strukturave, politikave të gabuara, qëndrimet joparimore, koncentrimin e fuqisë tek disa individë, sjellja e vendimeve nga një grusht njerëzish etj.
Përjashtimi i degës së Studeniçanit dhe Labunishtit, shpërfillja e anëtarëve të kryesisë dhe kuvendit qendror, menaxhimi i dobët i partisë, sondazhet që na shfaqin si partinë më të dobët janë disa nga arsyet që na shtyen që të reagojmë ndaj sekretarit të përgjithshëm.
Imponimi i emërimeve nëpër struktura, politikbërja sipas disponimit ditor, inati politik ndaj gjithë atyre që mendojnë ndryshe, për fat të keq Sekretarin e Përgjithshëm nuk e bëjnë të denjë për detyrën që ushtron.
Sa i takon bashkëpunimit parazgjedhor me partitë tjera shqiptare mendojmë se u përshpejtua bashkëpunimi me Lëvizjen Besa për shkak se asnjë hap i mëtejshem me Lëvizjen Besa nuk u realizua ( grupi parlamentar, anetari i KSHZ-së).
Qëkur e mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm bashkë me nënkryetarët e partisë, duke qenë në ekzekutiv dështuan në çdo premtim parazgjedhor, shkelën çdo parim që e promovuan dhe kësisoj duke revoltuar anëtarët dita ditës vetëm po tkurremi si subjekt, gjë që edhe anketat e fundit po e dëshmojnë.
Sakrifikimi i gjithë subjektit për të shpëtuar karrierën politike të nënkryetarit Bekim Sali, përskaj dështimeve evidente dhe koordinimit me eksponentë jashtë partisë sonë, gjithashtu vetëm se e shton indinjatën tonë ndaj të dyve.
Andaj është koha e fundit që Kryetari të veprojë dhe ta shkarkojë të lartpërmendurin, ngase përndryshe subjekti po shkon drejt shkatërrimit.
Këto shqetësime i ndanë e gjithë struktura, andaj ftoj edhe deputetët aktual, po pse jo dhe ata të kaluar që të na përkrahin. Madje ftojmë edhe strukturat tjera që u larguan për arsye të shumta dhe ish funksionarët që të na bashkangjiten dhe përfundimisht ta shpëtojmë Alternativën sa nuk është bërë shumë vonë.
Listën me anëtarët e kuvendit të nënshkruar do ia dorëzojmë për herë të fundit Kryetarit, me shpresën se do reflektojë dhe do marrë masat e duhura.”
Ndërkohë, kanë reaguar nga Alternativa ku mes tjerash përmes një komunikate lidhur me këtë çështje janë deklaruar: “Meqë sot disa anëtarë të Kuvendit Qendror të Alternativës, si dhe disa aktivistë të tjerë, organizojnë një konferencë për media, ku do të kërkojnë shkarkimin e nënkryetarëve dhe të sekretarit të përgjithshëm, po e njoftojmë opinionin se kërkesat e tilla së pari e kanë adresën në parti. Në të vërtetë, dje dy nga ata që e kanë ftuar konferencë kanë qenë në selinë e Alternativës dhe e kanë shprehur këtë kërkesë gojarisht, por Kryetari u ka thënë se është i detyruar ta respektojë statutin e partisë, ndërsa sipas nenit 42 të statutit të Alternativës, mbledhje e Kuvendit Qendror mund të thirret nëse atë e kërkon 1/3 e anëtarëve të Kuvendit Qendror (për informacion, Kuvendi Qendror i Alternativës numëron 113 anëtarë).”.