Krujë/ Vritet me armë zjarri 29-vjeçari, plagosen 2 nipat e tij! Shënjestra, Gentjan Bejtja, i shpëton atentatit për herë të tretë


Një 29-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një atentati të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Krujë në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjës, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy të mitur, nipat e 29-vjeçarit.

Policia bën me dije se ngjarja u regjistrua në fshatin Larushk, ku 29-vjeçari R.S. së bashku me dy nipërit, kanë qenë në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjës kur janë qëlluar me armë zjarri, teksa dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë pikërisht ky i fundit.

Policia ka ushtruar kontrolle në tre banesa dhe ka shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni mbi atentatin.

“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se:

Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).

Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim”, njofton Policia.

Po ashtu, policia sqaroi më herët se në Tapizë, te lapidari në orën 04:00 të mëngjesit, është gjetur duke u djegur një automjet, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

Gentjan Bejtja është një emër jo pak i njohur në botën e krimit, ndërsa kjo është hera e tretë që ai i shpëton një atentati. Bejtja është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, ndërsa është arrestuar më parë për mbajtjen e një arsenali armësh në banesë.

Ai është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u krye atentati.