Milaim Ademaj, familjar i Mirsada dhe Dion Ademaj, dy viktimat nënë e bir që vdiqën nga vërshimet në Pejë, ka rrëfyer momentin kur shtëpia e tyre është rrëmbyer nga vërshimet mbrëmjen e djeshme në Pejë.
Ademaj në një prononcim për Kosova Press ka thënë se trupat e dy të ndjerëve janë gjetur në shtëpitë e komshinjve gjatë një kërkimi dy orësh.
“Ka rrshit një pjesë e kodrës, e ka zënë jazin. Është mbushë tek ky vëllai oborri plot ujë, deri sa e ka majtë zidi, kur s’e ka majtë u hi uji brenda, mezi kemi shpëtu fëmijët tjerë. Jam mundu atë nusen me e shpëtu se atë të voglin s’e kemi pa kërkah. Pastaj e kemi gjete në shtëpinë e kojshive, nusen e kemi gjetë në të tretën shtëpi, në podrum atje”, ka thënë ai.
Siç ka bërë të ditur Milaim Ademaj, të gjithë familjarët e tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas njoftimit të familjarëve, Mirsada dhe Dion Ademaj pritet të varrosen nesër.