Grupi “Wagner” hyn në Rusi, pushton qytetin Rostov – VIDEO

Guvernatori i qytetit rus, Rostov, Vasily Golubev, pas hyrjes së grupit rus në këtë qytet u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda dhe të mos dalin pa nevojë.

Golubev tha se situata aktuale kërkon përqendrim maksimal të të gjitha forcave për ta ruajtur rendin.

“Agjencitë ligjzbatuese po bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e banorëve të zonës. I kërkoj të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos dalin nga shtëpia pa qenë nevoja”, tha ai në një mesazh në rrjetin social Telegram, shkruan BBC.

Kujtojmë se më herët kreu i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se ka hyrë në Rusi, konkretisht në qytetin Rostov, teksa ka paralajmëruar se “nëse dikush na pengon, ne do të shkatërrojmë gjithçka”.

Në Moskë tashmë niveli i sigurisë është rritur, ku të gjitha objektet e rëndësishme shtetërore po ruhen nga forcat speciale.

E gjithë kjo vjen pasi Prigozhini pretendon se ushtria ruse ka bombarduar mbi mercenarët e Wagnerit, duke vrarë një numër të madh të tyre.

Ndërsa në rrjetin social Twitter, po qarkullojnë disa pamje të cilat besohet se janë momentet kur grupi Wagner ka hyrë në qytetin rus, Rostov, i cili kufizohet me Ukrainën:

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka bërë të ditur se Wagner tashmë ka rrëzuar helikopterin e parë rus.

Sipas Prigozhinit, Wagneri e rrëzoi helikopterin e forcave ruse, pasi ai “hapi zjarr ndaj një kolone civile”, ndonëse nuk ka dhënë detaje se ku dyshohet të ketë ndodhur kjo, shkruan BBC.

Më herët, Prigozhini tha se ai bashkë me ushtarët e tij ka hyrë në rajonin e Rostovit të Rusisë, teksa guvernatori i qytetit i ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mos dalin pa nevojë.

VIDEO