Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB’së Kofi Annan vdiq sot në moshën 80 vjeçare.
Ai kishte vizituar Kosovën më 1999 dhe aty kishte takuar edhe Rexhep Qosjen. Ky i fundit, si anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës ka publikuar përshtypjet nga ky takim, pjesë e shkëputur nga Ditari, vëllimi VIII i cili thotë se do të botohet së shpejti.
Shkrimi i plotë i Qosjes në Facebook:
13.10.1999
***
Pas Bernar Kushnerit dhe gjeneral Rainhardit fjalën e merr Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Kofi Anani.
Kofi Anani është më i shkurtër se ç’e tregojnë televizionet.
Kofi Anani ka një pamje shumë origjinale dhe në këtë origjinalitet do të ketë kontribuar prejardhja e tij ndoshta disaracore dhe ndoshta disaetnike.
Në ngjyrën e fytyrës së tij janë shkrirë ngjyresa afrikane, aziatike dhe evropiane.
Edhe në trajtën e kokës së tij do të jenë shkrirë trajta kokash të të tri këtyre kontinenteve.
Kofi Ananin sytë e mi e shikojnë me adhurim për atë bashkim të jshtëzakonshëm e shumë të pëlqyer të të ndryshmeve.
Të ndryshmet sjellin bukuri, dhunti, mençuri dhe maturi.
Dhuntitë dhe virtytet e Kofi Ananit do të tregohen në plotësinë e tyre mbasi të fillojë të flasë – anglisht.
Flet për të përgjithshmet.
Flet për të përbashkëtat njerëzore e politike.
Përmend deportimet tona ( të dhunshme), përmend kampet në të cilat ishim vendosur në Maqedoni dhe në Shqipëri.
Mandej flet për tolerancën, si e mirë e madhe e paqes mes njerëzve.
Mandej flet për bashkëjetesën si pashmangshmëri e të sotmes dhe e të ardhmes së njerëzve.
Fjala e tij ishte domethënshëm e sistemuar, e filluar dhe e përfunduar. Fjalitë në të cilat ishte i përmbajtur qëllimi i ardhjes së tij shquhen me theks zanor dhe diksion pothuaj artistik.
Mendoj: deri në moshën në të cilën jam nuk më kishte takuar të shoh figurë politike, shtetërore e intelektuale kaq përshtypjebërëse me origjinalitet pamor dhe me origjinalitet gojor. Nuk e kanë zgjedhur kot Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së.