Zyrtare: Ardian Nuhiu emërohet trajner i Shkëndijës


Kampion me Shkëndijën në vitin 2011 dhe fitues i kampionatit dhe Kupës si trajner me Dritën e Gjilanit, Ardian Nuhiut i besohet bankina e kuqezinjëve.

Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon emërimin e Ardian Nuhiut si shef i stafit teknik të KF Shkëndija. Kryesia dhe tekniku 44 vjeçar kanë firmosur kontratë 2 vjeçare, me çka Nuhiu edhe zyrtarisht fillon punën si trajner i Shkëndijës.

“Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, është shprehur Ardian Nuhiu, pas firmosjes me kuqezinjtë.

Nuhiu te Shkëndija vjen pasi drejtoi disa vite Dritën e Gjilanit me të cilët fitoi titullin kampion dhe Super Kupën, derisa kishte paraqitje pozitive edhe në Kupat e Evropës.

Stafi teknik i Shkëndijës do të kompletohet me fituesin Kupës së vendit tonë në sezonin e shkuar me Makedonija Gj.P., Muharrem Bajrami, që nënkupton se bankina kuqezi do të ketë teknikë të rinjë por me suksese e tituj të fituar në karrierat e tyre. Bajrami do të jetë asistent i parë i Nuhiut, ndërsa Andi Kulli do të jetë përgjegjës për vido analizat e ndeshjeve. Ivan Jovanovski mbetet trajner kondicional, ndërsa Seladin Mustafi vazhdon si trajner i portierëve.

Të gjithë në KF Shkëndija urojnë mirëseardhje për gjithë anëtarët e stafit teknik, duke ju dëshiruar shumë suksese në periudhën që pason.