Një raport mjekësor që vërtetonte se bashkëshortja e Saimir Tahirit është sëmurë dhe për rrjedhojë ka vështirësi në përkujdesjen e fëmijëve ka shpëtuar nga burgu ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Çfarë ndikoi në vendim ishte një manovër e familjes Tahiri që i kishte kaluar fëmijët në kujdestari të Saimir Tahirit, një lëvizje që i dha gjykatës motivin e duhur për ta liruar ish-ministrin nga burgu. Gjykatësja Matilda Fetau ka vendosur që pjesën e mbetur të dënimit, prej 1 vit e 7 muaj, Tahiri ta vuajë në shtëpi dhe të kujdeset për fëmijet.
Avokati i Tahirit shpjegoi se klienti i tij i plotësonte të gjitha kushtet për të vuajtur dënimin alternativ në shtëpi. Mes të tjerash ai kishte dy fëmijët në ngarkim dhe për më tepër bashkëshortja e tij ishte e sëmurë. “Kur e kapin krizat, dhe kjo është e vërtetuar me një raport mjeko-ligjor, është në pamundësi për t’u kujdesur për fëmijët” tha avokati duke folur për bashkëshorten e Tahirit.
Tahiri e ka vuajtur dënimin në burgun e Fierit dhe në burgun e Kosovës, në Lushnje. Ish-ministri qëndroi përafërsisht rreth 16 muaj burg qeli.