Shoku ia kërkoi veturën për shërbim familjar dhe pastaj ia shiti pa e pyetur. Kjo ngjarje i ndodhi Nijazi Isakut nga Tetova. Dhjetë ditë pasi e dha, e kuptoi se vetura e tij, e tipit Golf 5, nuk ishte më në emër të tij.
“Veturën ja dhashë një shokut në shërbim. E mori për punë familjare, nuk e pyeta më shumë. E mori për tre ditë, por e mbajti më shumë. Pastaj më tha e kam gjetur një myshteri, por unë i thash nuk e shesë pa mos i marrë paratë në dorë. Kaluan tre ditë dhe dikush më paralajmëroi se vetura është shitur. Vetura ishte shitur dhe plotësisht kishte dalë në emër të tjetër kujt, me falsifikime dokumentesh, me falsifikime noteri. Shkova ta shohë, ata më hidhnin andej-këndej dhe për këtë u lajmërova tek ju”, thotë Nijazi Isaku.
Nijaziu thotë se tani ka ngelur edhe pa veturë edhe pa para.
“Veturë Golf 5, është e vitit 2007, është shitur pa prezencën time, pa mos dhënë unë nënshkrim, i kanë marr paratë vet, tash unë as para nuk kam marrë dhe as veturën. Nuk dua para vetëm veturën dua të ma sjellin. Ata më thonë na jep kohë do ta paguajmë. Unë nuk kam besim deri sa e kanë bërë këtë falsifikim, vetëm duan kohë të humbin”, pohon Nijazi Isaku.
Televizioni 21, për disa ditë tashmë, po ndjek rastin dhe ka në dorë një pjesë të dokumentacionit që dyshohet se është bërë falsifikimi. Pasi rasti është denoncuar tek organet e rendit dhe është nën hetim, ne nuk do të publikojmë emrat e personave të përfshirë në këtë rast për të mos dëmtuar hetimin. Do të vazhdojmë të ndjekim rastin e Nijaziut deri në zbardhjen e plotë të gjithë situatës.