rokuroria ka nisur hetimin për 43 vjeçarin që rrahu për vdekje një plak 66 vjeçar në Qendër të Shkupit nën akuzat për vrasje. Shkupjani i cili ka qenë i dehur në momentin që e ka sulmuar 66 vjeçarin, për momentin gjendet në paraburgim, derisa prokuroria të mbarojë hetimin dhe të ngritet akuza.
“Dje pasdite e kemi arrestuar sulmuesin. Prokurori vlerësoi se janë plotësuar parakushtet ligjore për shqiptimin e masës së paraburgimit dhe për këtë shkak i propozoi Gjykatës Penale të Shkupit të shqiptojë një masë të tillë. Gjykatësi i procedurës paraprake e pranoi kërkesën dhe të dyshuarit iu shqiptua masë paraburgimit prej 30 ditësh”, deklaruar nga Prokuroria Themelore.
Siç shpjeguan nga policia dhe prokuroria, i dyshuari ka qenë i dehur dhe ka shkuar drejt një tezge me libra në qendër të Shkupit. Brenda tezgës në atë moment ka qenë 66 vjeçari. Pasi i dehuri ka filluar të godasë me gjithë forcën xhamat e tezgës, plaku ka dalë jashtë për ta pyetur se çfarë e ka hallin, por ai moment ka qenë i kobshëm për të. Personi i dehur ka filluar ta godasë pa asnjë arsye me grushta dhe shqelma nëpër gjithë trupin dhe ai ka mbetur në atë gjendje derisa ka ardhur ekipi i ndihmës së shpejtë për ta dërguar në spitalin shtetëror.
“Personit të ndjerë i është shtypur truri, për këtë shkak është dërguar menjëherë në Qendrën për emergjenca në Shkup. Por meqë situata e tij ka qenë tejet serioze, ai është transferuar në Klinikën për Neurokirurgji ku i është bërë operacion. Më 11 gusht, i dëmtuari ka ndërruar jetë ndërsa prokurori publik ka dhënë urdhër për autopsi të trupit të tij”, thonë nga Prokuroria Themelore.
Plakut 66 vjeçar i është bërë edhe operacion për shkak se i është shtypur truri, por ai nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të rënda. Ka ndërruar jetë tetë ditë pas goditjeve të rënda dhe luftës intensive të mjekëve për ta mbajtur në jetë. /shenja/