Ferrari i ka dhuruar 1 milionë euro Agjencisë për Sigurinë Territoriale dhe Mbrojtjes Civile të rajoni Emilia Romagna. Kompania i bashkohet fushatës së mbledhjes së fondeve për situatën katastrofike që është shkaktuar si pasojë e stuhive ditët e fundit duke shkaktuar humbje jete dhe dëme të mëdha materiale.
Këto fonde do të përdoren me koordinimin e autoriteteve për të ndihmuar popullsinë vendase të prekur nga përmbytjet, me fokus projektet për rimëkëmbjen mjedisore dhe menaxhimin e paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike.
“Në kohë vështirësish, Ferrari ka qëndruar gjithmonë pranë komunitetit të tij. Ne donim t’i jepnim një përgjigje konkrete dhe të menjëhershme nevojave më urgjente të popullsisë së Emilia-Romagna, e cila është sprovuar nga një fatkeqësi e rëndë mjedisore.
Me bashkërendimin e autoriteteve lokale, të cilëve u shkojmë falënderimet tona të përzemërta për të palodhur punë, kjo ndihmë do të sjellë rehati dhe një shenjë të prekshme të solidaritetit të gjithë familjes Ferrari”, ka thënë CEO i Ferrarit, Benedetto Vigna.
Ndërkohë numri i viktimave në Itali ka shkuar në 11-të, ndërsa mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë dhe për dhjetëra të tjerë të zhdukur.