Kasami në Kosovë, takon kryeparlamentarin, Glauk Konjufca

Kreu i BESËS, Bilall Kasami me një delegaion të kësaj partie të përbrërë nga deputetët, Fadil Zendeli dhe Bastri Bajrami, nënkryetaren Besa Kadriu dhe kryetaren e Forumit të Gruas Melinda Rashidi po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë ditës ata kanë zhvilluar takim me kreun eKuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në të cilën takim ata kanë biseduar për shumë çështje me rëndësi të përbashkët për dy vendet.

“Një takim mes njerëzve të një gjaku, një takim në të cilin biseduam për aktualitetin politik, për pozitën e shqiptarëve përgjithësisht dhe për peshën dhe rëndësinë e tyre politike, për sfidat e shumta, sidomos për sfidat në sferën e arsimit. Në këtë drejtim biseduam për mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse për arsimim më cilësor në gjuhën shqipe, për problemet e shumta që shfaqen në rrugën e ringritjes së arsimit shqip, sidomos për problemin e mungesës së furnizimit të nxënësve me libra nga ana e MASH-it dhe shumë problematika tjera që pamundësojnë sistem arsimor cilësor dhe në hap me trendet moderne të arsimit”, ka shkruar Kasami në Facebook.

Kasami ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar edhe mungesa e një strategjie në nivel kombëtar në sferën e arsimit që do të përfshinte gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre. Në këtë takim Kasami dhe Konjufca kanë biseduar edhe për mungesën e një strategjie unifikuese mes pozitës dhe opozitës për çështjet jetike që janë me interes të përbashkët.