Kujdestarja ka tregtuar seksualisht 14 vjeçaren tetovare në këmbim të parave, detaje të reja

14 vjeçarja nga Tetova e cila është tregtuar seksualisht nga ana e tutores së saj ka qenë e sistemuar në Entin për mbrojtje sociale me vendim të gjykatës. Alsat jo zyrtarisht mëson se prindërve të saj i është marr e drejta prindërore, ndërsa enti i ka caktuar tutorin (kujdestaren) i cili është dashur të përkujdeset. Motivi për marrjen e të drejtës prindërore në rrethana jo zyrtare mësohet të jetë dhuna familjare, por e pasqaruar mbetet se si në duart e tutores së njëjtë që në këtë rast është e dyshuara kryesore, përfunduan edhe dy fëmijët e tjerë të moshës 10 dhe 7 vjeçare. Grupi i organizuar kriminal ishte i ndjekur për gati 1 vit, ndërsa në ndihmë të hetimit ishte përfshirë edhe enti dhe institucionet tjera. Sipas ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski grupi i organizuar kriminal ka keqpërdorur 14 vjeçaren disa herë për qëllime të njëjta.

“Bëhet fjalë për tregti me njerëz, përkatësisht me fëmijë i cili disa herë është keqpërdorur për qëllime të njëjta. Janë arrestuar 10 persona të cilët janë pjesëtarë të grupit të organizuar apo zinxhirit të tregtisë me njerëz. U janë caktuar masat e kujdesit dhe vazhdojnë hetimet”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarve. Organi i akuzës ditë më parë njoftoi se nga të dhënat e procedurës para hetimore është konstatuar se tutorja duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur statusin e rënduar shëndetësor të viktimës dhe në bashkëpunim me 3 persona, dy prej tyre nga Tetova dhe një nga Gostivari e kanë detyruar viktimën për aktivitet seksual nën kërcënimin se motrën dhe vëllain do t’ia kthen në shtëpi tek nëna e tyre ose tek Enti për kujdes social. Për shërbimet e tilla grupi nga të dyshuarit e tjerë ka përfituar 50-200 euro. Një veprim të tillë tutorja dhe tre të dyshuarit e tjerë e kanë bërë për gati një vit, nga vera e vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021. 11 të dyshuarit do të ndiqen penalisht për veprën “tregti me fëmijë”. 9 prej tyre ndodhen në paraburgim, njëri në kurim spitalor, ndërsa një nga të dyshuarit është i pakapshëm për organet e ndjekjes penale. Vepra penale, referuar Kodit Penal dhe Konventës për të drejtat e fëmijës parashikon 8-10 vite burg. /Alsat.mk