AlternAtivA: Familjarët e Ali Ahmetit zaptojnë pozitat, shqiptarët detyrohen të shpërngulen

Alternativa akuzon kreun e BDI-së, Ali Ahmeti për nepotizëm, pasi që dërgoi familjarin e tij të ngushtë në mision diplomatik në Bruksel.

Ja reagimi i plotë:

“Në kohë kur qindra mijëra shqiptarë për çdo ditë detyrohen të braktisin vatanin dhe të shpërngulen drejt perëndimit, në mungesë të perspektivës ekonomike në vend, në kohën kur papunësia, thellimi i krizës ekonomike, shtrenjtimi i çmimeve dhe, në përgjithësi, cilësia e jetës po i detyron të rinjtë shqiptarë të ndahen nga familjet e tyre, në anën tjetër vazhdon nepotizmi i paskrupullt i funksionarëve të BDI-së, të cilët me veprimet e tyre vazhdojnë ta vrasin shpresën e të rinjve shqiptarë.

I tillë është rasti me familjarin e kreut të BDI-së, Besian Ahmeti. Familjari i Ali Ahmetit, me vendim të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe miratim të Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, përmes favorizimit partiak e familjar, është emëruar sekretar i parë në Ambasadën e RMV-së në Bruksel, duke ua zënë vendin qindra profesionistëve shqiptarë të kualifikuar për atë pozitë.

Kjo është arsyeja që ta pyesim z. Ahmeti: edhe sa familjarë ju kanë mbetur pa akomoduar në institucionet e shtetit? Edhe sa duhet të presin shqiptarët derisa “Dinastia Ahmeti/BDI” të ngopet mbi kurrizin e tyre? Edhe sa shqiptarë duhet të shpërngulen për t’u kënaqur familja Ahmeti?

Me këtë rast AlternAtivA i bën thirrje Komisionit për Parandalimin e Korrupsion dhe të gjitha institucioneve relevante që të reagojnë ndaj nepotizmit të turpshëm të BDI-së, për të cilin jemi dëshmitarë për çdo ditë.

Lajmi i mirë në këtë fatkeqësi është se vitin tjetër kjo epokë e turpit po perëndon, për t’ia hapur rrugën një shprese të re”, reagon AlternAtivA – Shkup.