Kushdo që i thyen ligjet do të përgjigjet pa selektim sepse askush nuk është mbi ligjin, tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, gjatë aksionit të sotëm të Inspektoratit në tregun me shumicë “Kvantashki” në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Të gjitha aksionet do të vazhdojnë intensivisht dhe nuk do të ndalen në të gjithë territorin. Është konstatuar se shitës me pakicë të paregjistruar janë të vendosur në tregun Kvantashki dhe në mbarë Shkupin dhe në të gjithë territorin. Kushdo që kryen veprimtari të paregjistruar do të përgjigjet sipas ligjeve për të cilat është kompetent IShP-ja. Ne veprojmë sipas ligjit të tregtisë. Sot ndjekim një parim tjetër, do të ketë konfiskim të produkteve, sipas ligjeve për të cilat jemi përgjegjës”, theksoi Trajkovski në një deklaratë për MIA-në.
Trajkovski thotë se sistemi duhet të funksionojë në interes të të gjithëve.
“Askush nuk mund të manipulojë popullatën. Sistemi do të funksionojë sipas të gjitha ligjeve. Ajo që është parë këto ditë gjatë kontrolleve është se krahas importuesve ka edhe tregtarë të paregjistruar që kryejnë veprimtari sipas ligjit të tregtisë dhe të cilëve do t’u konfiskohen produktet”, shton Trajkovski, duke thënë se ka tregtarë që tentojnë t’i manipulojnë ligjet dhe qytetarët. Mbi 30 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë sot në tregun Kvantashki në Shkup, ku kontrollojnë tregtarët e pemëve dhe perimeve.
“Te importuesit e pemëve dhe perimeve po kontrollohet respektimi i vendimit të Qeverisë për shpërndarjen dhe shitjen e të paktën 70 për qind të sasive që kanë dorëzuar në janar dhe shkurt. Kontrolle kryhen edhe në të gjitha subjektet e tjera të Kavantashki-t për veprimtari të regjistruar dhe të paregjistruar”, thanë nga IShT.
Aksioni i inspektorëve do të zgjasë gjatë gjithë ditës dhe më pas, siç njofton IShT-ja, do të dalin me informacione për gjetjet që janë zbuluar dhe nëse ka pasur tregtarë të gjobitur.
Aksioni i inspektorëve të IShP-së kryhet në koordinim me ekipet e Drejtorisë së Policisë Financiare, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Pasurinë e Konfiskuar.
Sipas Ligjit të Tregtisë, gjobat për importuesit, në varësi të madhësisë së tyre, nëse konstatohet mosrespektim i vendimeve të qeverisë, variojnë nga 800 deri në 10.000 euro, ndërsa për veprimtari të paregjistruar, përveç gjobës parashikohet edhe konfiskimi i mallit.
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria ka marrë vendim që tregtarët dhe importuesit që shesin pemë dhe perime duhet të marrin dhe shesin 70 për qind të sasive që kanë shitur në janar dhe shkurt.