Shkup: “Higjiena Komunale” ka inkasuar 10 milionë euro për 6 muaj, ku është pastërtia e qytetit?!

“Higjiena Komunale” e Shkupit për shërbimet e saj ka inkasuar 9.47 milionë euro vetëm në gjashtë mujorin e këtij viti, shkruan Fakte. Vetëm nga amvisëritë ka mbledhur 5 milionë euro. Nga këto para, 3.72 milionë euro janë shpenzuar për rrogat e të punësuarve, ndërsa fitimi i kësaj ndërmarrje publike për këtë gjysëmvjetori arrin 386.500 euro!

Këto të dhëna janë zyrtare dhe të njejtat janë publikuar në raportin gjysëmvjetor i cili është publik. Ndërkohë, pjesët e Shkupit të banuara me shqiptarë vazhdojnë të jenë të mbuluara nga mbeturinat. Ato mund të vërehen në çdo cep dhe në çdo kohë. Për ironi, me dekada udhëheqësia dhe numri më i madh i të punësuarve në këtë ndërmarrje janë shqiptarë. Shqiptarët edhepse i paguajnë rregullisht faturat për mbeturinat, nuk marrin shërbimin sa duhet. Ku shkojnë të gjitha këto miliona?!