Pasuria e Elon Musk pësoi një goditje të rëndë duke rënë me 13 miliardë dollarë në vetëm 24 orë, më shumë se dyfishi i buxhetit të Shqipërisë.
Në të njëjtën ditë kur raketa Starship e SpaceX shpërtheu në ajër pas lëshimit, edhe kompania e tij, Tesla, e makinave elektrike raportoi të dhëna tejet zhgënjyese në tremujorin e parë. Aksionet e Tesla-s ranë me 9,75 për qind dhe fitimet me 20 për qind.
Rënia që pësoi pasuria e Elon Musk ishte humbja më e madhe që ai ka pësuar gjatë këtij viti. Megjithatë, edhe pse ai tashmë ka 13 miliardë dollarë më pak, pasuria e tij neto llogaritet në 164 miliardë dollarë, sipas Bloomberg.
Ai renditet ende i dyti në listën e më të pasurve të botës, me Bernard Arnault që kryeson listën. Në anën tjetër, shkatërrimi i raketës Starship nuk është vlerësuar si një dështim nga Musk.
SpaceX dhe miliarderi Elon Musk duken të lumtur dhe të kënaqur me rezultatin e lëshimit dhe gjatë videos njerëzit mund të dëgjohen duke brohoritur dhe duartrokitur.
Në video shihet edhe Elon Musk, i cili nuk duket se ka asnjë gjurmë shqetësimi. Shpërthimi i raketës nuk është dështim, sipas kompanisë së miliarderit. Kjo pasi, fakti që anija kozmike në fjalë, që është më e madhja e ndërtuar ndonjëherë, arriti të lëshohej nga baza, është cilësuar si një sukses shumë i madh.