Me një iniciativë fisnike të vullnetit të mirë, në prezencën e familjarëve dhe fisit të gjërë, pas fjalëve të zakonit dhe traditës kombëtare, në emër të Zotit dhe për nder të muajit të Ramazanit, familja Amza nga fsh. Kopanicë ia shtriu dorën e pajtimit familjes Latifi nga fsh. Semenishtë, ku pas 17 viteve fali gjakun e djalit të tyre 25 vjeçar Lazam Amza.
Në momentin kur kryefamiljari i familjes Amza në prezencën Këshillit të pajtimit: Hoxhës së nderuar Molla Saliut dhe veprimtarit të kauzës kombëtare z. Daim Hiseni e shtriu dorën e pajtimit, pasuan fjalët:
Qofshi faqe bardhë – I nderuari të nderon.
Janë momente të rënda, ku në njërën anë syri të loton, por nga ana tjetër të dridhet zemra nga gëzimi dhe përjetimi i këtyre momenteve me karakter tepër fisnik.
Pas këtij çasti, me propozimin e pleqnarëve dhe në pajtim me normat e aktit të pajtesës, dy familjet vizituan njëra tjetrën ku edhe u pij kafeja e përbashkët në të dy shtëpitë e tyre.
Ky akt burrëror, i cili na bënë nder si shqiptar dhe besimtar që jemi, qoftë një shembull i mirë për të ardhmen e popullatës sonë në viset tona.