MPB-ja njofton qytetarët: Mos bini pre mesazheve elektronike në emër të drejtorit të BSP-së

Ministria për Punë të Brendshme këtyre ditëve ka pranuar raportime nga qytetarët për një mesazh elektronik të pranuar kinse në emër të drejtorit të Byros për Siguri Publike (BSP), Sasho Tasevski, kinse në bashkëpunim me Europolin, në të cilin, në formë të një lloj kërkese për sqarim gjyqësor, njoftohet marrësi i mesazhit se i nënshtrohet procedimit të pretenduar ligjor për një sërë krimesh fiktive, të cilat nuk i ka kryer. Në të njëjtën kohë, marrësi i mesazhit ftohet të kontaktojë dërguesin me një lloj shpjegimi për aktet e supozuara, njoftojnë nga MPB-ja, duke theksuar se bëhet fjalë për një mesazh fals.

Nga MPB gjithashtu thonë se ky mesazh nuk është dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe as nga ndonjë institucion tjetër ligj-zbatues.

“Këto e-maile janë një tentativë klasike mashtrimi në të cilën qëllimi i mashtruesve është të marrin të dhënat personale të dërguesit në mënyrë që t’i abuzojnë më tej. Prandaj apelojmë për vëmendje të veçantë, që të mos hapen këto mesazhe, e aq më pak të kontaktohet dërguesi përmes linkut të dhënë dhe të shpërndahen të dhënat personale që kërkohen”, thuhet në njoftimin e MPB-së.