Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Sot do të hapet gjykimi kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Specialja dje ka njoftuar se deklaratat hyrëse do të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill duke filluar nga ora 09:00.

Specialja njofton se secili prej të akuzuarve “është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”.

Ndërkaq, trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

“140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.”

Njoftimi i plotë:

HAPJA E GJYKIMIT TË HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, REXHEP SELIMIT DHE JAKUP KRASNIQIT NË DHOMAT E SPECIALIZUARA TË KOSOVËS

Më 3 prill 2023, në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të hapet gjykimi kundër zotit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë (DHSK). Është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.