Partia Alternativa, ka reaguar pas vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë për të anuluar furnizimin për Spitalin Klinik të Tetovës në vlerë prej 22 milionë denarësh. Sipas tyre, kjo është është informacioni më i keq që mund ta ketë marrë ky institucion shëndetësor pas djegies së shkaktuar më 2021.
“Ishte sukses i jashtëzakonshëm ajo që ish ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ia doli që për Spitalin Klinik të Tetovës të mundësojë pajisje që kurrë më parë në historinë e tij nuk kishte pasur. Kështu edhe me furnizimin që tashmë është anuluar ishte paraparë që në spital të arrijë laparoskop për intervenime kirurgjike, 2 plazma kuagulator, gastroskop dhe kolonoskop. Bëhet fjale për pajisje të domosdoshme për dhënien e shërbimeve cilësore shëndetësore për intervenime kirurgjikale dhe diagnostifikim të kancerit të stomakut (lukthit), zorrëve të holla dhe zorrës së trashë. E tash, pas këtij anulimi, realisht pamundësohet funksionimi normal i sallave të operimit dhe pjesa endoskopike e diagnostifikimit të sëmundjeve malinje”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Në reagimin mes tjerash thuhet se për Alternativën, që deri sa ka menaxhuar më resorin e Shëndetësisë, por edhe për qytetarët e zonës së Pollogut, ky është një dëmtim i madh që i bëhet Spitalit Klinik të Tetovës.
“Pas ministrit Bekim Sali, që kishte aq shumë përqendrim për shëndetësinë e kësaj ane, vendimi i këtillë i ministrit të ri të Shëndetësisë la shumë paqartësi dhe krijon huti se kujt i shërben ky ministër dhe pse vendimin e parë që e merr ai është dëmtimi i Spitalit Klinik të Tetovës”, thuhet në reagimin e Alternativës.