Senaca gjyqësore sot në Tetovë filloi me një përleshje verbale mes të akuzuarve respektivisht ish drejtorit ekonomik Artan Etemi dhe familjarëve të viktimave të spitalit modular të pranishëm në seancë shkruan Plusinfo. Pas intervenimit të gjykatësit situata u qetësua.
Dy ekspertët nga Fakulteti elektro-teknik në Shkup, u morën si dëshmitarë në seancën e sotme gjyqësore për djegien e spitalit modular në Tetovë. Vllatko Stojkov tha se sipas analizës së bërë në dy modulare në qytete të tjera rezulton se instalimi është në përputhje me projektin.
“Instalimin e brendshëm elektrik të Spitalit modular në Tetovë nuk mundëm ta analizojmë për shkak të djegieve të mëdha, por atë analizë e bëmë në Spitalin modular të Gostivarit dhe të Kavadarit dhe mund të them se instalimi është në përputhje me projektin”, deklaroi Vllatko Stojkov, Ekspert.
Dy infermieret Daniella Simjanoska dhe Fluturije Islami të cilat dëshmuan sot, të cilat ditën kur kishte shpërthyer zjarri kishin qenë në turnin e parë thanë se në dhomën e mjekëve ka pasur aparat për shuarjen e zjarrit.
“Kam parë aparate kundër zjarrit të vendosura në dhomën ku qëndronte ekipi mjekësor. Mendoj se ishte vetëm 1 aparat kundër zjarrit ndërsa në derën e hyrjes kryesore të modularit kishte shkresë “ ndalohet hyrja e personave civil” mirëpo nuk kam parë çelës në derë apo rojtar”, tha Daniella Simjanoska, Infermiere.
“Kam parë aparat kundër zjarrit te dhoma ku qëndronin mjekët, megjithatë nuk e kujtoj shumë mirë, pasi kemi qenë shumë të angazhuar me punë. Tek dera ka pasur mbishkrim “ndalohet hyrja për personat civil”. Ne që kemi qenë në ndërrim e mbyllnim derën”, tha Fluturije Islami, Infermiere.
Seanca e radhës për zjarrin në Spitalin modular në Tetovë është caktuar për më 6 prill.
Vendimi gjyqësor për Spitalin modular në Tetovë pritet të merret pas dy seancave që vijojnë. Zjarri në Spitalin Modular të Tetovës i cili sipas ekspertizave vendase dhe të huaja erdhi si pasojë e kabllos vazhduese ku ishte lidhur defibrilatori, mori jetën e 14 personave, një pjesë e tyre pacientë të infektuar ndërsa një pjesë familjar të cilët kujdeseshin për të afërmit e tyre.