Aksioni i Policisë ndaj barnatoreve, kapen pronarët në pranga


Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar me sukses një operacion në disa barnatore të Prishtinës. Pas këtij operacioni dy persona, pronarë të barnatoreve kanë përfunduar në pranga. Lokacioni ku është zhvilluar aksioni shtrihet në disa prej lagjeve të njohura të Prishtinës si Kodra e Trimave, Ulpiana, Bregu i Diellit e pjesa tjetër e njohur si “Xhamia e Llapit”, shkruan Insajderin.

Dy të arrestuarit siç mëson Insajderi janë Shkëlqim Isufi pronar i “Ivy Pharm” dhe Gzonit Salihaj pronar i “Salihaj Pharm”.

Insajderi ka mësuar se cak i aksionit të policisë kanë qenë dy njësitet e “Ivy Pharm”, në lagjen Kodra e Trimave e Breg të Diellit, “Salihaj Pharm” e barnatorja “Rexall” në Ulpianë si dhe “Duropharm” tek Xhamia e Llapit.

Të njëjtit dyshohet se kanë shitur produkte farmaceutike (barna), të cilat dyshohet se janë kontrabanduar dhe janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Siç bëhet me dije në njoftimin e policisë, gjithsej janë sekuestruar 598 lloje të produkteve.

Gjatë kontrollimit, Policia kishte kuptuar se barnat ilegale ishin vendosur në pjesë tjera të lokalit, sipas policisë në formë bunkeri.

“Sot, më 16.03.2023, hetuesit policorë në bashkëpunim me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ndërmarrë veprime në teren ku janë kontrolluar shtatë (7) barnatore në kryeqytet. Gjatë kontrollimit në dy barnatore është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola që dyshohet se janë kontrabanduar. Këto barna ishin të fshehura në pjesë shtesë të lokalit të rregulluar enkas për fshehjen e tyre (në formë të bunkerit)”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.