Marrin një kthesë të bujshme hetimet për vrasjen e një 12-vjeçareje në Freudenberg të Gjermanisë. E mitura duket se është vrarë nga dy vajza të saj të moshës 12 dhe 13 vjeç. Këtë e bënë të ditur hetuesit në një konferencë për shtyp. Dy vajzat kanë pranuar krimin e kryer pas goditjeve të shumta me thikë. Viktima e quajtur Luise u zhduk të shtunën teksa po kthehej nga shtëpia e një shoku. Ajo u gjet e vdekur në një pyll të dielën. Nuk dihet ende motivi i vrasjes, por disa media gjermane flasin për hakmarrje pas një sherri. Për shkak të moshës, nuk do të ngrihet padi penale për dy vajzat.
Florian Locker, i komisariatit të Koblenz sqaroi se 2 vajzat kanë treguar se janë autore të krimit. Ky ishte konkluzioni i bërë pas dëshmive të gjata gjatë marrjes në pyetje, e kryer nën mbikëqyrjen e psikologëve dhe në prani të prindërve të tyre. Dy vajzat e pranuan përfundimisht vrasjen dhe deklaratat e tyre u vërtetuan nga disa prova. Autoritetet shpjeguan se, duke pasur parasysh moshën e dy vajzave të reja, nuk mund të jepeshin detaje të mëtejshme për mënyrën e vrasjes.
Kërkimet për armën e vrasjes vazhdojnë. Prokurori e ka theksuar vazhdimisht delikatesën e çështjes, pikërisht për shkak të moshës së viktimës dhe autorëve. Sipas një raportimi të së përditshmes “Focus”, motivi i krimit mund të jetë hakmarrja për një ngacmim të Luise ndaj njërës prej vajzave të tjera. Por e vetmja gjë e konfirmuar deri më tani është se dy vajzat shumë të reja kanë rrëfyer vrasjen pasi janë marrë në pyetje.