Ishte milioner, tani jeton në garazhë. Ky është rrëfimi në pika të shkurtra për shkupjanin Daut Tahir, dikur pronar i kompanisë së suksesshme për tregti me materiale elektrike, sot i pastrehë.
Ai sot është penduar, por e pranon që tani është vonë. 58 vjeçari, tani i ndarë nga bashkëshortja dhe fëmijët, e pranon se vetë është fajtor për gabimet që ka bërë. “Çdo ditë kthehem mbrapa me mendime, por kthim mbrapa nuk ka. Unë jam fajtor për krejt situatën. Jam fajtor për divorcin me bashkëshorten, u bëja probleme. Fëmijët morën rrugën e tyre, nuk kam komunikim fare me ta. Bixhozi është punë e keqe nga e cila vështirë dilet. Porosia ime është që asnjëherë të mos filloni me një gjë të tillë. Një vit isha në burg, e pastaj shtëpia ime u bë rruga”, thotë Tahir.
Humbja e gjithçkaje që ka pasur, ka marrë edhe “tatimin” e vet shëndetësor. Ai është sëmurë nga zemra dhe ka tre “bajpase”.Tani flen në një garazhë me të ardhura prej 1.400 denarëve (22 euro) në muaj. Në ndihmë i ka dalë organizata e Kryqit të Kuq, duke e angazhuar si berber në qendrën për persona të pastrehë.