Katër prej viktimave të aksidentit mes dy trenave që ndodhi më 1 mars në Greqi janë shqiptarë.
Kjo u bë e ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, pas komunikimit me autoritetet greke.
“Në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare. Ata janë: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato”, ka deklaruar Ministria e Jashtme.
Gjithashtu, autoritetet shqiptare bënë të ditur se po presin rezultatet e ADN-së edhe për një shtetas tjetër shqiptar që është deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij dhe policia greke.
Nga përplasja e dy trenave kanë vdekur të paktën 57 persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe tetë shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ata po marrin trajtim të specializuar mjekësor në spitalin e Larisës në Greqi.
Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e diel, më 5 mars. Për të nderuar viktimat e këtij aksidenti tragjik, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në Shqipëri, flamujt do të ulen në gjysmështizë.