Arsimi fillor shqip në Manastir, dekada me radhë ka qenë thembra e Akilit, i përcjellë me shumë probleme të natyrave të ndryshme, disa herë bile të shkaktuara edhe nga vetë shqiptarët. Për disa ditë do të fillojë viti i ri shkollor. Gjatë verës dhe fill para fillimit të vitit shkollor, nuk vërehen kurrfarë aktivitetesh përgatitore, siç ndodhte vite më parë. Nuk janë kryer as përgatitjet më të nevojshme, siç janë ato higjieno-teknike e pedagogjike.
Konkurset për rivilitalizim dhe ripërtëritje të kuadrit arsimor, as që janë shpallur, kështu që edhe ky vit shkollor do të fillojë dhe përfundojë me problemet ekzistuese kadrovike, sidomos në paralelet e arsimit lëndor me mësim në gjuhën shqipe, siç janë atë të shkollës “Goce Dellçev” të qytetit dhe ato të shkollës “Kërste Misirkov” të fshatit Këshavë. Në këto paralele vite me radhë shumë orë të shumë lëndëve arsimore procesi edukativ arsimor ,kinse në mungesë të kadrove nga radhët e shqiptarëve, zhvillohet në gjuhën maqedonase nga arsimtarë maqedonas. Dy a tre muaj para përfundimit të vitit të kaluar shkollor, me shkuarjen në pension të arsimtarit, në paralelet shqipe të fshatit Dolencë, e pa besueshme por e vërtetë, për arsimtare punësohet një torbeshe, e cila e njeh gjuhën gojore, por kurrë nuk ka mësuar. As shkronjën A të Alfabetit të Manastirit. Kjo në masë të madhe i irritoi dashamirët më e arsimit shqip, të cilët reaguan, por reagimet e tyre nuk u përfillen.
Kurrë nuk u mor vesh se kush qëndronte pas këtij skandali, respektivisht shkatërrimit të këtillë të gjuhës shqipe, e cila edhe është në mesin e shqiptarëve, ajo është në këmbë të qelqta. U ankua edhe kundër kandidatja e refuzuar që deri diku afronte kushte më të mira në favor të gjuhës shqipe, mbase paraprakisht ka kryer shkollën fillore në gjuhën shqipe, kurse kandidatja e punësuar, për nga baba është torbeshkë, i ati i së cilës vazhdimisht ka qenë kundër gjuhës shqipe. Në një moment, gjatë një reagimit tonë, ai ka deklaruar:
“Shto qe mu e shiptarskiot jazik”.
Tani ai me së shumti i ka shfrytëzuar punësimet që kanë bërë autoritetet e kësaj partie në pushtet, ashtu është punësuar edhe motra e arsimtares në fjalë në Muzeun e Alfabetit, edhe pse nuk ka mësuar as ajo shkronjën A të gjuhës shqipe. Kështu kanë mbetur pa punë edhe individë me arsim të mesëm në gjuhën shqipe në Manastir.
Të potencojmë edhe faktin se paralelet e shkollës së Dolencës, në vend që t’i takojnë shkollës “Goce Dellçev” ku janë përqendruar paralelet shqipe, ato iu dhanë shkollës “Elpida Karamandi” në të cilën për drejtoresh është emëruar bashkëshortja e një antishqiptarë i përbetuar. Kjo drejtoreshë, edhe përkundër reagimeve të inspektorëve të arsimit, vetë ka vendosur për punësimin e kuadrit që as prej së largu nuk plotëson asnjë kusht për këtë vend pune. Tani, me interesim pritet se çka do të ndodhi në fillim të këtij viti shkollor me paralelet e fshatit Dolencë, fshat ky në të cilin kanë jetuar Qiriazët pasi erdhën nga Kolonja.