Kovaçevski: Vendimi i Gjykatës në Strasburg është fitore për shtetin dhe drejtësinë


Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përgjigje të pyetjes gazetareske për vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila njëzëri e shpalli të papranueshme ankesën në lëndën “Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut”, theksoi se kjo është një fitore e madhe dhe sukses i madh për vendin tonë.

“Së pari, kjo është një fitore e madhe dhe një sukses i madh për vendin tonë. Ekipi maqedonas me të vërtetë bëri maksimumin dhe fitoi në një rast jashtëzakonisht kompleks. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të pamasë për punën e tyre të përkushtuar gjatë periudhës së kaluar. Me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, i cili në këtë rast është në favor të shtetit, ankesat e aplikantëve u shpallën të papranueshme në tërësi, përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara.

Argumentet e Qeverisë për papranueshmërinë e aplikimeve janë respektuar plotësisht nga Gjykata e Strasburgut.

Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se, në kundërshtim me pretendimet e aplikantëve, Gjykata nuk përcaktoi shkelje të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Kjo është një fitore edhe e shtetit edhe drejtësisë edhe sistemit të drejtësisë. Me vendimin, Gjykata vlerëson se ankesat e aplikantëve janë parimisht të papranueshme për shkak të mospërdorimit të mjeteve juridike vendore.

Ne jemi një shtet anëtar i Këshillit Evropian, përkushtimi ynë ndaj sundimit të së drejtës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vlerat që e mbështesin atë janë të padiskutueshme në shumë raste të tjera.

Gjithashtu, si vend që po zhvillon bisedime me BE-në me qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Union, është fakt se sundimi i së drejtës është një nga prioritetet më të larta për ne.

Duke pasur parasysh se procedurat penale që kanë të bëjnë me aplikimet dhe këtë vendim, janë akoma para gjykatave vendore, do të përmbahesha nga komente të mëtejshme, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime apo ndoshta të interpretohet si ndikim në procese të mëtejshme”, tha Kovaçevski në ngjarjen e sotme të hapjes së kopshtit të ri për fëmijë në Vollkovë.