Ekipi shqiptar i shpëtimit i përlotur: Situatë drithëruese, kthejmë solidarizimin e Turqisë për ne në tërmetin e 26 nëntorit!

Gazetari i Top Channel Artur Bibe, ka mundur të intervistojë dy nga anëtarët e ekipit shqiptar të shpëtimit që ndodhet në Turqi për shpëtimin e njerëzve nga rrënojat e tërmetit vdekjeprurës.

Behari, një nga anëtarët e ekipit është shprehur se grupi ka vijuar punën pa ndërprerje prej 24-orësh për nxjerrjen e trupave.

“Aktualisht po ndihmojmë përmes kamerave. Kemi vijuar punën pa ndërprerje 24 orëve. Po punohet për nxjerrjen e trupave. Situata është shumë e rëndë. Jemi futur në vende shumë të vështira. Gjendja është shumë e rëndë.”- shprehet Behari, anëtar i ekipit shqiptar.
Mjekja shqiptare, Hygerta Ilica është shprehet e përlotur se situata atje është drithëruese. Ajo thotë se solidarizimi i ekipit shqiptar vjen pas asaj që bëri Turqia për tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të vitit 2019.
“Si mjeke e ekipit është situatë drithëruese për ne. Civilët kërkojnë ndihmë, na drejtohen në mënyrë drithëruese. Po përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi. Ka banorë e zëra që dëgjohen e nuk i ndihmojmë dot. Po punojmë krah forcave turke. Ky solidarizim vjen pas atij që ka bërë Turqia për ne në kohën e tërmetit, për mua Turqia është vend i afërt. Jam e lumtur që po jap këtë kontribut. Shpresojmë të bëjmë krenar popullin tonë”- shprehet anëtarja e ekipit shqiptar, Hygerta Ilica.
Aktualisht kanë kaluar 3 ditë nga tërmeti që la pas mbi 16 mijë viktima në Turqi dhe Siri dhe puna e ekipeve të shpëtimit është e vështirë edhe për shkak të kushteve atmosferike. Për të mbijetuarit nën rrënoja mbijetesa po bëhet ende më e vështirë, nga mungesa e ujit e ushqimit dhe i ftohti.