Dhjetëra tërmete të fuqishme godasin Turqinë dhe Sirinë/ Mbi 1700 viktima, moti vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit


Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë këtë të hënë gjatë orëve të para të mëngjesit, duke shkaktuar qindra viktima.
Qindra persona të tjerë raportohet se janë plagosur në të dy shtetet.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet, ndërsa epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe në shkallë prej 7.7, 6.7 apo 6 Rihter. Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave, ndërsa në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti. Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij ranë.
“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane. Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afërsisht 18.000 persona janë vrarë nga tërmetet e fuqishme që kanë goditur shtetin në vitin 1999.